RTSH 24 Live

Politikë

Balla: Meta të hetohet, duam president mbi palët!

04/05/2021

Balla: Meta të hetohet, duam president mbi palët!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvend, Taulant Balla ka dhënë në seancë parlamentare argumentet se pse duhet shkarkuar presidenti Ilir Meta. Zoti Balla tha se shkarkimi i presidentit nuk synon kapjen e këtij institucioni nga PS, por vendosjen e një personi që do të jetë mbi palët dhe do të kontribuojë në çuarjen përpara të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Kushdo që mendon që procedura e shkarkimit të presidentit ka të bëjë me të ashtuquajturën dëshirë të mazhorancës për të kapur edhe institucionin e Presidentit e ka shumë gabim. Nuk kemi ne asnjë lloj interesi për të marrë institucionin e Presidentit të Republikës. Përkundrazi, ne duam, sikurse e kemi thënë të gjithë së bashku në Rezolutën e  13 qershorit 2019, se ne duam që Shqipëria të ketë një President mbi palët, një President që të përfaqësojë unitetin kombëtar dhe një president që të punojë çdo ditë me të gjitha forcat politike në dobi të interesit kombëtar dhe në dobi të çuarjes përpara të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ne nuk duam një President që të jetë ditën President dhe natën kryetar i shtabit elektoral të një partie politike, kushdo qoftë ajo . qoftë i yni apo qoftë i juaji. Qoftë i PS, apo i LSI-së apo i PD-së”, tha Balla.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Balla i bëri thirrje opozitës të njohë rezultatin e procesit zgjedhor dhe të lërë akuzat për blerje votash. “Shqipëria fitoi më 25 prill dhe kjo falë qytetarëve të këtij vendi, të cilët në mënyrë masive morën pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe që me votën e tyre të lirë, i dhanë mandatet e përfaqësimit atyre që garuan për të marrë besimin e tyre. Thirrja ime sot nga foltorja e Kuvendit ndaj të gjithë aktorëve pjesëmarrës në këto zgjedhje është që gjithsecili prej nesh ta lexojë me përgjegjësi votën e shqiptarëve”, theksoi Balla.