RTSH 24 Live

Politikë

Bala në krye të Bashkisë Himarë, Tavo: U zbatua ligji për pushtetin vendor. Arsyeja e tensioneve, politike

29/03/2024

Bala në krye të Bashkisë Himarë, Tavo: U zbatua ligji për pushtetin vendor. Arsyeja e tensioneve, politike

Prefekti i Qarkut Vlorë, Vangjel Tavo ka deklaruar për RTSH se tensionet e sotme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kanë burim politik dhe janë krijuar në kohë.

Sipas Tavos, synimi i mbështetësve të Fredi Belerit është mosfunksionimi normal i Bashkisë së Himarës.

“Janë tensione të cilat nuk janë të ditës së sotshme, por janë krijuar kohët e fundit. Arsyeja është politike, qëllimi i atyre pak njerëzve është të tentojnë mosfunksionimin normal të Bashkisë së Himarës.

Është bashki bregdetare që në këtë sezon pritet të presë fluks të shtuar turistësh dhe duhet të jetë funksionale. Qëllimi tyre është i qartë të vijojnë me turbullirën në gotë”, tha ai.

Në lidhje me caktimin nga Këshilli Bashkiak në krye të Bashkisë së Himarës të Blerina Balajt, Tavo u shpreh se 16 këshilltarë janë shprehur pro, ndërsa 3 të tjerë nuk kanë marrë pjesë në këtë votim.

“Caktohet një nga nënkryetarët nga Këshilli Bashkiak. Ajo ka ndodhur sot, është zbatuar ligji për pushtetin vendor dhe është zgjedhur një nga nënkryetarët deri në momentin e zgjidhjes së ngërçit të krijuar.

Procedura është ngatërruar, por s’mund ta quajmë votim, sepse sipas ligjit quhet saktësim. Pra këshilli i bashkisë e saktësoi, me ngritje dore, dhe 16 këshilltarët ngritën dorën, e caktuan dhe 3 të tjerë nuk kanë marrë pjesë në votim”, tha Tavo.

/rtsh.al/