RTSH 24 Live

Aktualitet

Autostrada Lezhë- Laç, aksident tragjik, përplasen 3 makina, humb jetën një shtetas, plagoset një tjetër

3 orë para

Autostrada Lezhë- Laç, aksident tragjik, përplasen 3 makina, humb jetën një shtetas, plagoset një tjetër
Foto nga vendngjarja

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë, i cili ndodhi të dielën në mbrëmje në aksin rrugor Lezhë-Laç, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Treshit”.

Burime nga vendi i aksidentit raportojnë për RTSH-24 se bëhet fjalë paraprakisht për të paktën 1 viktime dhe një të plagosur. Policia dhe një ambulancë ndodhen në vend ngjarje.

Sipas raportimeve, në aksident janë përfshirë 3 automjete, të cilat janë përplasur mes tyre, dy vetura dhe një fuoristradë. Nga përplasja, një prej mjeteve është dëmtuar rëndë dhe është përmbysur duke dal jashtë rrugës.

Sipas informacioneve të para, mjeti tip Opel, ku udhëtonte viktima, që është ende i paidentifikuar i moshës rreth 30 vjeç, ka qene duke kryer një parakalim kur është përplasur fillimisht me mjetin tip Ford. Pas kësaj ka goditur edhe një tjetër, makinë tip fuoristradë, e cila vinte përballë saj. Si pasojë e humbjes së kontrollit, makina është përmbysur në rrugë dhe nga plagët e marra drejtuesi i saj ka humbur jetën në vendngjarje.

"Rreth orës 21:00, në aksin rrugor “Lezhë- Milot”, janë përplasur tre automjete. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë në vendngjarje  drejtuesi i automjetit  tip “Opel”, ende i paidentifikuar. Ndërsa  shtetasi A. R., 23 vjeç, drejtuesi i automjetit tip “Ford” ndodhet nën kujdesit e mjekëve. Ndërkohë drejtuesi i automjetit tip “Toyota” ndodhet në vendngjarje. Grupi hetimor vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.", njofton policia. 

Aksidenti i rëndë solli për pasojë edhe bllokimin e trafikut, ku radha e mjeteve u bë kilometrike.

(Foto nga vendngjarja)

/rtsh.al/