RTSH 24 Live

Teknologji

Autoriteti për Sigurinë Kibernetike: Po bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë mbi problemin teknik global!

19/07/2024

Autoriteti për Sigurinë Kibernetike: Po bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë mbi problemin teknik global!

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informoi të premten se, po ndjek nga afër zhvillimet mbi problemin teknik global që ka prekur përdorues të Microsoft dhe Crowdstrike dhe ndikimet e mundshme të tij për sigurinë kibernetike në Shqipëri.

“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe institucionet vendase për të monitoruar situatën dhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen kibernetike”,bëhet e ditur në një njoftim të Autoritetit.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike inkurajon qytetarët që të qëndrojnë të informuar përmes burimeve të besueshme dhe të ndjekin rekomandimet për të mbrojtur pajisjet dhe informacionin personal.

“Në rast të ndonjë incidenti kibernetik apo aktiviteti të dyshimtë, ju lutemi të na kontaktoni menjëherë në linjat tona të dedikuara për raportim”, këshillohet në njoftim.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thekson se, “prioriteti ynë kryesor mbetet mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe garantimi i sigurisë së informacionit për të gjithë qytetarët shqiptarë”.

/ rtsh.al /