RTSH 24 Live

Kronika

Atentat në Fushë Krujë/ Qëllohet me armë zjarri drejt një automjeti, vriten 3 persona

17/07/2022

Atentat në Fushë Krujë/ Qëllohet me armë zjarri drejt një automjeti, vriten 3 persona
Pamje nga vendngjarja

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të diel në Fushë Krujë, ku 3 persona kanë mbetur viktima të një atentati. Ngjarja është regjistruar në mbikalimin e Fushë Krujës, ku mbi automjetin me të cilin lëviznin viktimat, tip "Volswagen Passat",  është qëlluar me armë zjarri. Për pasojë makina ka shpërthyer në flakë dhe janë djegur në automjet dy persona të identifikuar si Besmir Hoxha dhe Brilant Martini.

Pasagjeri tjetër, Diklen Vata 30 vjeç, nga Fushë Mamurrasi, ka tentuar të largohet duke dalë nga automjeti, por nuk ka mundur pasi autorët e kanë qëlluar atë për vdekje sapo ka dale nga makina.

Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip "Volswagen Passat" që dyshohet se është i autorëve. Në brendësi të automjetit është konstatuar një armë zjarri automatike që dyshohet se është përdorur nga autorët për të kryer krimin.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe forca të shumta Policie. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSh Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë,  po punon për  sqarimin  e rrethanave të ngjarjes.

/rtsh.al/