RTSH 24 Live

Politikë

Artisti që u bë kryebashkiak, Erion Isai: Fokusi është rritja ekonomike, 3 kontrata të fuqishme në bujqësi

15/04/2024

Artisti që u bë kryebashkiak, Erion Isai: Fokusi është rritja ekonomike, 3 kontrata të fuqishme në bujqësi

Erion Isai, artisti i humorit që u bë kryetar i Bashkisë Kolonjë, sot në mandatin e dytë të tij  ka objektiva të qarta për zhvillimin e ekonomisë në qytetin e tij.

Turizmi, bujqësia, bimët medicinale, kulinaria  e bukuritë natyrore, për Erion Isain duhen shfrytëzuar në mënyrë që të arrihet që të zhvillohet ekonomia, ose siç thotë ai “në fund të mandatit të tij të jenë 2-fishuar të ardhurat që një familje kolonjare ka sot”.

Në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RSTH, kryebashkiaku Isai shtoi se për 2023 janë arkëtuar në Bashkinë Kolonjë 678 milionë lekë të ardhura nga taksat, duke “mbledhur fonde dhe aty ku nuk mendohej asnjëherë”.

“Unë kam kthyer fokusin tek ekonomia ku një familje në Kolonjë të ketë 2-fishin e parave që ka sot për të jetuar, me këtë po punoj për turizmin, agroturizmin, me 3 projekte në bujqësi me bimët medicinale dhe aromatike, kontratë shumë e fortë për mbarështimin e bletëve dhe trajtimin e mjaltit për eksport në Amerikë. Uroj shumë që këto të bëhen dhe të zhvillojnë ekonominë, në fund të këtij mandati dua që çdo familje të kenë 2-fishin e të ardhurave që kanë sot. Ekonomia ëhstë rritur dhe investimet. Në 2019 nga taksat ishin arkëtuar në bashki 220 mln lekë të vjetra, ndërsa në 2023 Bashkia Kolonjë arkëtoi nga taksat 678mln lekët të ardhura. Kemi mbledhur fonde që nuk mendoheshin ndonjëherë. Fondi më i lartë që është 2022 me 12 milionë euro nga qeveria,” tha Isai.

Kolonja është qyteti më i lartë në Shqipëri, 1053 metra mbi nivelin e detit dhe për kryebashkiakun Erion Isai ky vend fantastik ofron shumë për turizmin nga fshatrat përreth deri tek kulinaria e pasur dhe ushqimet e pakontaminuara.

“Ne kemi përveç Ersekës kemi Rehovën që është një fshat i jashtëzakonshme, një Gjirokastër rurale në shpat të malit, një qytet i gurtë dhe ka një histori të jashtëzakonshme. Ky është një lloj hoteli horizontal, ku çdo shtëpi është bujtinë dhe ka tre ujëvara dhe cilësohet edhe si ballkoni i Gramozit, kemi turizmin fetar dhe afresket dhe kishat e 1400. Kemi edhe shumë vende të tjera, Kolonja është e jashtëzakonshëm. E veçanta e Kolonjës është mishi, pasi pjesën e kullovate e ka boi dhe të pa kontaminuar dhe vijnë nga gjithë Shqipëria që kërkojnë mishin këtu, kemi supë me kaçka, mesnikun një lloj  byreku, kulinaria në kolonjë është e mirë,” tha ai.

Duke vlerësuar identitetin e Kolonjës dhe historinë e saj të jashtëzakonshme, Isai ftoi të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm, që të kalojnë një fundjavë në këtë qytet “ të pasur me kulturë, histori dhe natyrë fantastike.”

/rtsh.al/