RTSH 24 Live

Aktualitet

Apeli i GJKKO lë në burg Fredi Belerin, ambasadorja greke: Të lejohet në seancat e PE

25/06/2024

Apeli i GJKKO lë në burg Fredi Belerin, ambasadorja greke: Të lejohet në seancat e PE

Apeli i Gjykatës së Posaçëm (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke dënuar me 2 vite burg Fredi Belerin, i zgjedhur kryebashkiak i Himarës në zgjedhjet e 2023.

Në seancë gjatë gjykimit të Apelit ishte e pranishme edhe ambasadorja greke, Konstantina Kamitsi, e cila tha se Himara po drejtohet nga persona që nuk janë zgjedhur nga qytetarët dhe se Beleri duhet të lejohet të marrë pjesë në seancat e Parlamentit Evropain, pas zgjedhjes së tij si eurodeputet i Greqisë gjatë kohës që ishte në burg.

“U shkel prezumimi i pafajësisë. Me gjithë dëshirën e popullit të Himarës, bashkia drejtohet edhe sot nga persona që nuk janë zgjedhur nga qytetarët. Përparësitë për Greqinë mbetet respektimi i shtetit të së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave të minoritetet, që janë parimet bazë të BE-së. Zoti Beleri është zyrtarisht anëtarë i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është kërkesë demokratike që eurodeputetët të kenë mundësi të paraqiten në punimet e PE duke nisur që nga seanca e parë e korrikut”, tha ambasadorja.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 2023, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Në seancën e fundit të zhvilluar në Apelin e GJKKO ku u paraqit mbrojtja, Beleri kërkoi pafajësinë duke e cilësuar arrestimin e tij si politik me urdhër të kryeministrit Edi RAma.

Më 5 mars GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg të Fredi Belerit nën akuzën e blerjes së votave, ndërsa bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi  është dënuar me 1 vit e 6 muaj duke iu konvertuar në 3 vite shërbim prove, vendime që u lanë në fuqi nga Apeli i GJKKO

/rtsh.al/