Qëndrimi i anijes turke “Moliva”, që dyshohet se mban mbetje të rrezikshme, ende në radën e Portit të Durrësit ka sjellë debat dhe përplasje mes maxhorancës dhe opozitës në seancën e sotme plenare. Ishte deputeti demokrat, Agron Shehaj, i cili i kërkoi llogari Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha se përse nuk është zbatuar urdhri i Prokurorisë së Durrësit për sekuestrimin e 102 kontejnerëve që ndodhen në anije, duke akuzuar maxhorancën se po tenton të fsheh një trafik ndërkombëtar me mbetje toksike. Po ashtu edhe deputetja demokrate Flutura Açka ngriti të njëjtin shqetësim, teksa shtoi se dyshonte se mbetjet mund të hidheshin në det për t’u asgjësuar.
“Nuk e di nëse kjo qeveri e ka marrë vesh, por jashtë portit të Durrësit është një anije me një ngarkesë me mbi 100 kontejnerë që Prokuroria e Durrësit ju ka kërkuar ta sekuestroni. Prokuroria dyshon që në ata kontejnerë ndodhen 800 ton mbetje toksike që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe ju duhet ta kishit sekuestruar. Ministri i Brendshëm duhet të japë llogari pse nuk zbaton urdhrin e Prokurorisë. Duhet të zbatoni ligjin, urdhrin e prokurorisë. Mirë që nuk bëni transparencë, por të paktën respektoni urdhrin e prokurorisë. Është e qartë pse nuk e bëni, doni të fshihni trafikun ndërkombëtar me mbetjet toksike që keni bërë. Pse nuk e sekuestroni anijen? Pse nuk bëni testimet? Sepse jeni të gjithë të përfshirë. Zbatoni urdhrin e Prokurorisë, mos u bëni qesharakë. Ka katër ditë që ka ardhur, pse nuk zbatoni urdhrin e Prokurorisë?”, tha Shehaj.
“Të shikohet me përparësi kjo anije në mes të detit sepse kam drojën se ato kontejnerë do të asgjësohen duke u hedhur në det dhe shqiptarët do të kenë një det të ndotur shumë shpejt, prandaj sa më shpejt të ngrihet një çështje investigimi për këtë aq më mirë është për shqiptarët”, u shpreh Açka.
Në përgjigje të tyre, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, tha se po punohet për të bërë gati vendin ku do të vendosen kontejnerët, teksa akuzoi deputetët demokrat për “papërgjshmëri” me deklaratat e tyre.
“Është e papranueshme ajo që ju sapo ligjëruar se këta kontejnerë mund të hidhen në det. E kupton se çfarë përgjegjësie penale mund të mbash përsipër kur hedh dyshime të tilla që shkaktojnë panik? O zonjë, për t’i kthyer përgjigje jo ty, tani për t’iu iluminuar edhe në aspektin procedural. Nuk ka ndodhur kurrë nga kjo qeveri që të mos zbatohen urdhrat e prokurorisë. Sa i përket aludimeve që u hodhën këtu, ka një procedurë sipas së cilës urdhrat e prokurorisë i janë autoriteteve përkatëse të cilët kanë për detyrë të identifikojnë vendin ku do të vendosen dhe po punohet për t’u bërë gati vendi për të mos patur asnjë problematikë me rrjedhje, ndotje etj.. tani merrni fjalën këtu dhe thoni ‘na falni se ja futëm kot’”, tha Balla.
Edhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha po ashtu se po përgatitet infrastruktura e përshtatshme për vendosjen e kontejnerëve dhe monitorimin e tyre 24 orë, sipas kërkesës së prokurorisë. Duke ju përgjigjur pyetjes se përse nuk është zbatuar urdhri i prokurorisë që ka 5 ditë që ka dalë, Hoxha tha se nuk bëhet fjalë për sistemimin e “disa kutive kartoni”, por për 102 kontejnerë.
“Urdhri i prokurorisë ka dalë në datë 27, ditë e diel. Ne jemi koordinuar sa i përket zbatimit të këtij urdhri dhe të siguroj që nuk jemi në periudha ku urdhri i prokurorisë nuk zbatohet. Në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese po krijohet struktura e përshtatshme për vendosjen e këtyre kontejnerëve. Janë 102 kontejnerë që kërkojnë infrastrukturë të përshtatshme dhe jo disa kuti kartoni. Do vendosen në një hapësirë që do monitorohet me forca policie. Urdhri i prokurorisë është 100% i zbatueshëm”, theksoi ai.
Shehaj replikoi sërish ku, teksa e konsideroi çështjen si skandal, tha se përfshinë shumë nga ministrat e Qeverisë.
“Nuk e di si po flet Taulant Balla tani, si i akuzuar, sepse ato plehrat toksike janë trafikuar nga Porti i Durrësit ndërkohë që Balla ishte Ministër i Brendshëm. Ky skandal përfshin shumë nga ju, Balla, zoti Vengu që ishte drejtori i Portit, zonja Kumbaro si Ministre e Mjedisit që kishte përgjegjësinë e monitorimit të mbetjeve toksike. Kjo gjë nuk ju takon më ju, i takon Prokurorisë, nga ju e pamë ne çfarë morëm. Ju lejuat që 102 kontejnerë me mbetje toksike të trafikoheshin nga Porti i Durrësit. Ju nuk na jepni dot më informacion. Ju lejuat të ngrihej kjo skemë, nuk duam të dimë gjë prej jush, ju lejoni prokurorinë. Ka një urdhër nga Prokuroria që ka 5 ditë që ju kërkon t’i largoni ato mbetje. Se ju ka patur vendime që i bënit brenda orësh, si inceneratorët, por ku bëhet fjalë për të lejuara Prokurorinë për të hetuar këtë, ju duhet kohë”, akuzoi Shehaj.
Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro tha në fjalën e saj se në asnjë dokumentacion nuk flitet për mbetje të rrezikshme, duke kërkuar nga opozita të kenë “kujdes” me terminologjinë e përdorur “pasi nuk ndihmon opinionin publik”.
“Nuk ndihmojmë opinionin publik kur themi që mjedisi është shkatërruar. Mjedisi është përmirësuar pikërisht nga kjo maxhorancë. Të hedhësh plumba në ajër dhe të përdorësh terminologji të dëmshme është e rrezikshme. Nuk flitet për mbetje të rrezikshme në asnjë nga dokumentacionet, por për mall. Kjo është arsyeja pse ne zbatojmë ligjin. Kur të hapen kontejnerët do mësohet saktësisht se çfarë ka brenda. Ju flisni sikur jeni brenda kutive. Mbetjet janë një kategori malli që gjenerohen në të gjitha aktivitetet industriale. Ka një ligj që i rregullon si riciklohen dhe është e ligjshme dhe të eksportohen brenda procedurave të përcaktuara nga ligji”, deklaroi Kumbaro.
Anija turke “Moliva”, që dyshohet se mban mbetje të rrezikshme, vijon të qëndrojë prej ditësh ende në radën e Portit të Durrësit. Prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestrimin e 102 kontejnerëve që dyshohet se mbajnë mbetje të rrezikshme, ndërsa ka kërkuar monitorimin me kamera 24 orë dhe sigurimin e kushteve të sigurisë për ankorimin e saj. Por autoriteti portual duke se nuk mund të realizojë dot ankorimin dhe monitorimin e anijes 24 orë. Në përgjigjen që i ka kthyer prokurorisë, Autoriteti i Portit të Durrësit shprehet se e ka të pamundur për të gjetur një vend të sigurt mjedisor dhe garantimin e sigurisë fizike përmes monitorimit 24 orë me kamera.
/rtsh.al/