“Policia dhe shërbimet e inteligjencës në Serbi po përdorin produkte të avancuara të mjekësisë ligjore dhe spyware të panjohur më parë për të vëzhguar ilegalisht gazetarë, aktivistë mjedisorë dhe aktivistë të të drejtave civile”, kështu ka rezultuar sipas raportit të Amnesty International, në të cilin pasqyrohet gjithashtu se si produktet mjeko-ligjore celulare nga firma izraelite Cellebrite përdoren për të zhbllokuar dhe nxjerrë të dhëna nga pajisjet celulare të individëve, të cilët janë duke u infektuar me një sistem të ri spyware Android, NoviSpy.
"Autoritetet serbe po përdorin "teknologjinë e mbikëqyrjes dhe taktikat e represionit dixhital si instrumente të kontrollit dhe represionit më të gjerë shtetëror të drejtuar kundër shoqërisë civile", deklaroi autorja e raportit, Dinushka Dissanayake nga Amnesty International.
Dissanayake tha se raporti tregon se si produktet Cellebrite, të përdorura nga policia dhe shërbimet e inteligjencës në mbarë botën, mund të paraqesin një rrezik të madh për aktivistët e të drejtave kur përdoren jashtë kontrollit të rreptë ligjor.
Mjetet e Cellebrite për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe entitetet qeveritare lejojnë që të dhënat të nxirren nga një sërë pajisjesh, duke përfshirë telefonat celularë të fundit Android dhe iPhone, dhe mund t'i zhbllokojnë ato pa qasje në kodkalimin e pajisjes.
NoviSpy (ndonëse teknikisht më pak i avancuar sesa spyware, shumë invaziv si Pegasus) ende i lejon autoritetet serbe të kapin të dhëna personale të ndjeshme nga një telefon i synuar dhe lejon që mikrofoni ose kamera e një telefoni të ndizet nga distanca.
Raporti dokumenton se si autoritetet serbe përdorën produktet Cellebrite për të mundësuar infektimet me spyware NoviSpy të telefonave celularë të gazetarëve dhe aktivistëve, duke përfshirë të paktën dy raste gjatë intervistave të policisë.
Amnesty tha se kishte informuar Android dhe Google për NoviSpy përpara publikimit të raportit dhe spyware ishte hequr nga pajisjet Android të prekura. Google kishte dërguar gjithashtu alarme "sulme të mbështetura nga qeveria" për objektivat e mundshëm, tha ai.
Aktivistët e shënjestruar nga spyware Pegasus në Serbi thanë se kishin mbetur të traumatizuar. "Kjo është një mënyrë tepër efektive për të dekurajuar plotësisht komunikimin midis njerëzve," tha njëri, i cili kërkoi të mbetet anonim. "Çdo gjë që ju thoni mund të përdoret kundër jush, gjë që është paralizuese si në nivelin personal ashtu edhe në atë profesional."
“Cellebrite nuk dha asnjë përgjigje apo koment për raportin, i cili u dërgua para publikimit”, tha Amnesty. Autoritetet serbe në mënyrë të ngjashme nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
/rtsh.al/