RTSH 24 Live

Politikë

Ambasadorja e Izraelit tregon pse propozimi i Ramës për paqe në Gazë është i papranueshëm

08/12/2023

Ambasadorja e Izraelit tregon pse propozimi i Ramës për paqe në Gazë është i papranueshëm

Izraeli vlerëson maksimalisht politikën e ndjekur nga Shqipëria në raport me luftën në Gaza. Ambasadorja Galit Peleg e veçoi kryeministrin Rama nga shumë udhëheqës të tjerë europianë për qendrimin e fortë në mbështetje të Izraelit dhe dënimin e Hamas-it.

Jo çdo udhëheqës, për fat të keq, ishte mjaftueshëm kurajoz për ta thënë këtë,”- tha ambasadorja e Izraelit për RTSH. 

Por miqtë jo gjithmonë mendojnë njësoj. Dhe propozimi i kryeministrit Rama që, pas luftës, një koalicion shumëkombësh i Ligës Arabe dhe Turqisë, me mandatin e OKB-së të bëjë kalimin e pushtetit nga Hamas-i tek Autoriteti Palestinez, nuk ka gjetur përkrahës në Izrael. Ky ishte rasti që ambasadorja Peleg të deklaronte kushtet për paqe, kur u pyet nga gazetarja Elona Meço. 

Çdo zgjidhje që do të pranohet pas luftës, duhet të marrë në konsideratë tre kushte dhe mendoj që kryeministri Rama e kuptoi shumë mirë. 1. Që pengjet duhet të lirohen. Të gjithë! Pa kushte! 2. Që Hamas-i të mos e kontrollojë Gazën. 3. Çdo zgjidhje duhet të përfshijë masa sigurie për Izraelin,” tha Ambasadorja për emisionin “Pa censurë”. 

Izraeli nuk sheh si pjesë të zgjidhjes as Turqinë e Erdoganit, i deklaruar pro Hamasit dhe as Autoritetin Palestinez, të cilin e gjykon si tepër të dobët për të qeverisur Gazën pas largimit të Hamas-it. 

Nuk është se ne nuk duam që ata të kontrollojnë Gazën në të ardhmen. Gaza është palestineze, kështu që do të ishte e natyrshme që Autoriteti Palestinez ta kontrollojë. Çështja është a janë ata mjaftueshëm të fortë tani që të sigurojnë se Hamas nuk kthehet psh. brenda tri javësh? Ajo që ne mendojmë tani është se Autoriteti Palestinez është tepër i dobët. I thashë kryeministrit Rama se, kur Presidenti i Turqisë deklaron se Hamas-i është luftëtar i lirisë dhe Izraeli është terrorist, nuk mendoj se Izraeli do të bjerë dakord që ai të jetë njeriu, i cili do të na japë sigurinë se Hamas-i nuk do të jetë më në Gaza,” u shpreh ambasadorja e Izraelit për emisionin “Pa censurë”. 

Pjesë nga intervista e ambasadores së Izraelit

Elona Meço:  Qëllimi i deklaruar i luftës që Izraeli po bën në Gaza është shkatërrimi i Hamas-it, gjë që duket pak realiste. Sepse Hamasi nuk është vetëm një forcë fizike, e përbërë nga disa individë, udhëheqës politikë apo ushtarakë që mund të vriten. Organizata është një ide dhe idetë nuk vriten dot, por ka dhe financa të forta, siç thatë ju, financohet miliarda euro. Si do ta shkatërroni Hamas-in, sa do të zgjasë lufta?  

Ambasadorja e Izraelit: Së pari, ne e kemi përgatitur veten për një luftë të gjatë. Ne nuk e dimë se kur do të mbarojë. Nuk e di se cila do të ishte pamja e fitores që ju po kërkoni, por mund t’ju them se jam dakord me ju që nuk mund të mbarosh shpejt punë me Hamas-in. Është si një gjarpër që i pret kokën dhe rritet sërish. Jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Idea është që të shkatërrojmë aftësinë ushtarake në Gaza, kështu që ata nuk mund të veprojnë nga Gaza. Të shkatërrojmë selitë e tyre, armët dhe të shkatërrojmë zinxhirin e komandimit, në mënyrë që organizata të mos ketë mundësi të funksionojë në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne po punojmë me të gjitha qeveritë në botë, në mënyrë që të kontrollohet furnizimi me para që ata marrin, pra financimi.

Elona Meço: Në lidhje me financimin. Pak ditë më parë, ambasadori i Izraelit në OKB akuzoi George dhe Alexander Soros, se financojnë organizata pro Hamasit, që kërkojnë shkatërrimin e Izraelit. Sa të besueshme janë këto deklarata, kur George Soros është vetë hebre? Pse do t’i interesonte kjo?

Ambasadorja e Izraelit: Nuk jam një specialiste për Sorosin, as për të shkuarën e tij dhe as për aktivitetin e tij aktual. Mund të them se nuk është hera e parë që ka kritika për aktivitetin e tij në Lindjen e Mesme, pra për fondacionin e tij, jo për të personalisht. Fakti që ai është hebre nuk do të thotë asgjë. Ka hebrenj që punojnë kundër Izraelit dhe kjo nuk të jep një certifikatë sigurie. Ka organizata që e prezantojnë veten si liberale, progresiste, pro njerëzve, por kur shikon më thellë se çfarë bëjnë ato, gjen se atao financojnë edhe aktivitet anti-izraelit. Prandaj mendoj se këtë ka dashur të thotë ambasadori. Nuk mendoj se ka dashur të thotë që Soros po financon terrorin. Por mjafton që ka organizata të cilat brohorasin “që nga lumi deri në det, Palestina do të jetë e lirë’. Çfarë do të thotë “që nga lumi deri në det”, pra që nga lumi Jordan deri në detin Mesdhe. Çfarë ka në mes të lumit Jordan dhe detit Mesdhe? Është Izraeli. Nëse bërtet “nga lumi në det”, në fakt, po thua me fjalë të tjera se dua të shkatërroj Shtetin e Izraelit. T’ju them se këto George Soros ia thotë vetes çdo mëngjes? Nuk mendoj së është kështu, por nëse ai mbështet organizata që bërtasin këtë parrullë, atëherë, në mënyrë indirekte, ai po mbështet një organizatë që është kundër Izraelit.

Elona Meço: Kryeministri Rama ka propozuar një koalicion shumëkombësh të Ligës Arabe dhe Turqisë, me mandat të OKB-së,  që, kur të mbarojë lufta, të marrë kontrollin e Gazës dhe  të bëjë kalimin e qeverisjes nga Hamas-i tek Autoriteti Palestinez. Cili është qëndrimi i qeverisë së Izraelit për këtë propozim, kur dihet se Izraeli nuk është dakord që Autoriteti Palestinez të marrë kontrollin e Gazës?

Ambasadorja e Izraelit: Pata një takim me kryeministrin, gjithashtu edhe me Ministrin e Jashtëm. Ishte një takim shumë i mirë. Së pari, dua të them se ne e vlerësojmë shumë qendrimin shumë të fortë të kryeminstrit dhe qeverisë së tij në lidhje me përkrahjen e Izraelit kundër terrorit dhe për dënimin shumë shumë qartë të Hamas-it. Jo çdo udhëheqës, për fat të keq, ishte mjaftueshëm kurajoz për ta thënë këtë. Kështu që kjo është diçka që ne e vlerësojmë shumë, pra, pozicionin shumë të qartë të kryeministrit. Gjithashtu, ne vlerësojmë që ai është i përfshirë dhe përpiqet të gjëjë një zgjidhje. Më duhet të them se në këtë moment, ne nuk po shohim për ditën që vjen pas mbarimit të luftës. Po shohim se çfarë duhet bërë tani, sepse gjëja më e rëndësishme për ne është që të kthejmë në shtëpi të gjithë pengjet dhe të sigurohemi që Hamas-i nuk është më në Gaza. Çdo zgjidhje që do të pranohet pas luftës, duhet të marrë në konsideratë tre kushte dhe mendoj që kryeministri Rama e kuptoi shumë mirë. 1. Që pengjet duhet të lirohen. Të gjithë! Pa kushte! 2. Që Hamas-i të mos e kontrollojë Gazën. 3. Çdo zgjidhje duhet të përfshijë masa sigurie për Izraelin.  Tani, pyetja e madhe është: kush mund të jetë mjaftueshëm i fortë dhe të japë siguri që këto kushte do të përmbushen? Ajo që ne mendojmë tani është se Autoriteti Palestinez është tepër i dobët. Nuk është se ne nuk duam që ata të kontrollojnë Gazën në të ardhmen. Gaza është palestineze, kështu që do të ishte e natyrshme që Autoriteti Palestinez ta kontrollojë. Çështja është a janë ata mjaftueshëm të fortë tani që të sigurojnë se Hamas nuk kthehet psh. brenda 3 javësh? I thashë kryeministrit Rama se, kur Presidenti i Turqisë deklaron se Hamas-i është luftëtar i lirisë dhe Izraeli është terrorist, nuk mendoj se Izraeli do të bjerë dakord që ai të jetë njeriu, i cili do të na japë sigurinë se Hamas-i nuk do të jetë më në Gaza.

Gazetare: Elona Meço

/rtsh.al/