RTSH 24 Live

Politikë

Alibeaj kundër protestës së 7 korrikut: Berisha nuk është shpresa e njerëzve! Duma: Do t'i bashkohem

30/06/2022

Alibeaj kundër protestës së 7 korrikut: Berisha nuk është shpresa e njerëzve! Duma: Do t'i bashkohem

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj nuk e mbështet protestën e thirrur në 7 korrik nga Sali Berisha. Për Alibeajn Sali Berisha nuk mund të jetë përfaqësimi dhe shpresa e njerëzve të cilët sot vuajnë si pasojë e krizës së çmimeve.  Alibeaj tha se protestat duhet të nisin në Kuvend dhe më pas në shesh.

Do protestosh për krimin, duhet të flasësh këtu. Do protestosh kundër çmimeve të larta, kundër oligarkëve, unë besoj se mënyra më e mirë për të protestuar është këtu. Unë protestoj sot, protestoj në çdo rast. Detyra e çdo deputeti është kjo. Nuk mund të jetë Sali Berisha përfaqësimi i atyre njerëzve të cilët sot vuajnë gjithmonë e më tepër. Absolutisht jo. Më kuptuat mirë se çfarë thashë.

Nuk është ai shpresa e njerëzve. Para se të shkojnë te sheshi dhe t’u thonë njerëzve hajdeni të protestoni të vijnë këtu dhe të thonë një gjë. Kanë guxim ta thonë? Për të protestuar për çmimet e larta duhet të thotë se çfarë qëndrimi ka ndaj oligarkëve”, tha Alibeaj.

Jashtë parlamentit para nisjes së seancës plenare Deputetja e PD, Grida Duma deklaroi se do jetë pjesë e protestës. Sipas saj kjo protestë do të bashkojë demokratët.

"Unë jam pro protestave. Besoj që protesta do bashkojë demokratët pastaj se çfarë do bëjë hierarkia lart është çështje më e madhe se kaq," tha Duma.

Ndërsa konfirmoi pjesëmarrjen Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ftoi të gjithë kolegët deputetë të opozitës që të lënët ndasitë mes tyre dhe t’i bashkohen grupeve të punës së protestës.

"Më datë 7 korrik, çdo opozitar, çdo qytetar i pakënaqur nga kjo qeverisje, çdo socialist i ndershëm, çdo njeri që i ka ardhur deri në fyt duke i vënë shkelmin kjo lloj qeverisjeje duhet të vi në shesh dhe të protestoj.

Detyra minimale e çdo deputeti, I cili është përfaqësuesi i popullit që ka marrë votat opozitare është që të jetë organizator dhe pjesëmarrës në protestë.

Deputetët në qarqet e tyre përfaqësojnë ata qytetarë opozitarë që i kanë zgjedhur dhe është detyra e tyre funksionale si deputet për të qenë në grupet e punës. Ne e kemi nisur punën 4 deputetët e Vlorës kemi qenë për t’iu bashkuar protestës dhe këtu nuk kemi qenë të ndarë. Në bindjen tonë ne mund të mbështesim njërin apo tjetrin, por kur vjen puna për të mbështetur qytetarët ne jemi të bashkuar”, tha Zhupa.

Po ashtu edhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka do i bashkohet protestës së 7 Korrikut të thirrur nga Sali Berisha.

/rtsh.al/