RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Akuzat për korrupsion, SHBA shpall “nongrata” ish-kryeprokuroren e M. Veriut dhe zyrtarin e Kosovës

18/03/2024

Akuzat për korrupsion, SHBA shpall “nongrata” ish-kryeprokuroren e M. Veriut dhe zyrtarin e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur “nongrata” ish-kryeprokuroren Speciale të Maqedonisë së Veriut Katica Janeva, kreun aktual të Karposhit po në këtë vend, Stevço Jakimovski dhe ish-drejtuesin e komunës së Kaçanikut në Kosovë Xhabir Zharku.

Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit bëhet e ditur se shpallja e tyre “nongrata” ka ardhur pasi ata kanë minuar sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qev”erive të tyre përkatëse.”

Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, Janeva ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, thuhet në njoftimin e DASH.

Gjithashtu Departamenti Amerikan i Shtetit jep edhe argumentimin për shpalljen “nongrata” të dy zyrtarëve të tjerë.  

Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Karposhit të Maqedonisë së Veriut, Jakimovski ishte përfshirë në akte korruptive, duke përdorur pozitën e tij zyrtare ai ka ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të nxjerrë përfitime për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij ai ka ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të nxjerrë përfitime për veten dhe bashkëpunëtorët e tij”, theksohet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Përveç Janevës dhe Jakimovskit, Departamenti i Shtetit ka përfshirë edhe anëtarët e familjeve të zyrtarëve, ku dy djemtët e Jakimovskit, Goce Jakimovski dhe Damjan Jakimovski, si dhe bashkëshortin e Janevës, e djemtë e saj, Venci Janev dhe Lazar Janev.

Këto veprime bëjnë që Janeva, Jakimovski, Zharku dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë t’u ndalohet hyrja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas DASH, shpallja e këtyre zyrtarëve “nongrata” riafirmon “përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjithë autoritetetin për të denoncuar aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht

/rtsh.al/