Pas vitesh hetimi, nesër (të mërkurën), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nis shqyrtimi në gjykatë i dosjes penale në ngarkim të ish- kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.
Lajmi është bërë i ditur nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
"Nesër, me datë 16.10.2024, ora 09:00 do të hidhet në short dosja penale, seancë paraprake (kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq, procedimi penal nr. 278, i vitit 2020), me kërkues Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehur: Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andina Pustina, Studio Pustina sh.p.k, Shoqëria Homeplan sh.p.k dhe shoqëria Kontakt sh.p.k.", njofton GJKKO.
Prokuroria e Posaçme i mbylli hetimet për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe Andina Pustina, rreth 1 vit pas caktimit të masave të sigurisë ndaj ish-Kryeministrit, Berisha.
Ish-kryeministri Berisha është marrë i pandehur për 'korrupsion pasiv'. Ai akuzohet se lejoi një zinxhir institucionesh, që të shkelnin ligjin për “mos ndryshimin e destinacionit të terreneve sportive” dhe për “terrenet sportive që nuk privatizohen”, duke favorizuar dhëndrin e tij, i cili dhe ky është i pandehur për 'korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe pastrim parash'.
Ndërsa biznesmeni, Fatmir Bektashi akuzohet për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan, akuzohen për pastrim parash.
Të akuzuarit për korrupsion për dosjen 'Partizani'
Sali Berisha: Ish kryeministër, akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi: Dhëndri i ish- kryeministrit Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Fatmir Bektashi: Ndërtues, akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'.
Xhimi Begeja: Ortak i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' akuzohet për 'Pastrim Parash'.
Andia Pustina; Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k, akuzohet për 'Pastrim Parash'.
/rtsh.al/