RTSH 24 Live

Aktualitet

AKMC: Kush ndez zjarr në pyje dënohet deri në 5 vjet burg

05/07/2024

AKMC: Kush ndez zjarr në pyje dënohet deri në 5 vjet burg

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur sot se zjarri që përfshiu Qafën e Llogorasë është shuar, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në pyje. Agjensia ka rikujtuar njëkohësisht kush ndez zjarr në pyje dënohet deri në 5 vjet burg

“Në Qafën e Llogorasë, përballja e parë serioze e kësaj vere me zjarret ishte një sfidë e madhe. Arritëm t’i vëmë nën kontroll, por kjo nuk mjafton. Temperaturat, sado të larta të jenë, nuk mund të shkaktojnë zjarre në mënyrë natyrale. Në emër të çdo zjarrfikësi dhe punonjësi që përballet me flakët, u bën thirrje të gjithë banorëve në zonat rurale.Bëni kujdes, pasi vetëm një shkëndijë mjafton për të djegur të gjithë malin në këtë stinë të nxehtë. Për ata që ndezin zjarre në mënyrë të qëllishme, për të liruar kullota apo thjeshtë për të shkaktuar dëme në mjedisin natyror, kujtojmë se shkatërrimi i pronës publike dhe private me zjarr është një krim që dënohet deri në 5 vjet burg” kujton AKMC.

Agjencia thotë se do të bashkëpunojë me policinë për të denoncuar dhe ndihmuar në arrestimin e kujtdo që tenton të djegë pyjet dhe kullotat, këtë pasuri tonën të përbashkët.

Të enjten zjarri përfshiu sipërfaqe toke në Dhërmi. Forcat zjarrfikëse, por edhe banorë të zonës janë angazhuar për të shuar flakët. Një vatër zjarri gjithashtu u përhap edhe në Llogora.

/ rtsh.al /