RTSH 24 Live

Botë

Agjencia hungareze e inteligjencës intervistoi CEO-n e lidhur me shpërthimin e biperave të Hezbollahut

4 orë para

Agjencia hungareze e inteligjencës intervistoi CEO-n e lidhur me shpërthimin e biperave të Hezbollahut

Shërbimi hungarez i zbulimit ka marrë disa herë në pyetje drejtoren e përgjithshme të kompanisë “BAC Consulting KFT”, e lidhur me shpërthimin gjatë kësaj jave të mjeteve të komunikimit, ‘pagers’ të përdorura nga Hezbollahu, njoftoi qeveria e Hungarisë së shtunën.

Kompania tajvaneze “Gold Apollo” tha të mërkurën se kishte autorizuar firmën “BAC Consulting KFT,” me bazë në Budapest të Hungarisë, që të përdorte markën e saj për prodhimin dhe shitjen e pajisjes ‘pager’ të modelit AR-924.

Cristiana Barsony-Arcidiacono, 49 vjeç, me shtetësi italiano-hungareze, e cila ka themeluar “BAC Consulting” i tha rrjetit NBC News këtë jave se pajisjet e komunikimit me mesazhe ‘pagers’ nuk ishin prodhuar nga kompania e saj dhe se ajo ishte thjesht “ndërmjetëse”.

Me herët, një nga shërbimet e zbulimit të Hungarisë, Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese tha në një deklaratë se pajisjet që u përdorën për shpërthimet masive nuk janë prodhuar në territorin hungarez apo kanë hyrë në atë vend.

Zyra e Kryeministrit Viktor Orban tha më herët se kompania “BAC Consultin” ishte një “kompani tregtare ndërmjetësuese, e cila nuk kishte një qendër prodhimi apo ndonjë qendër tjetër operimi në Hungari”, raporton Reuters.

82 persona të vrarë në sulmet izraelite dhe shpërthimet e pajisjeve

Gjatë sulmeve dyditore të martën dhe të mërkurën, kur shpërthyen mjetet e komunikimit ‘pager’ dhe radiot e dorës, pajisje që përdoren nga Hezbollahu, rreth 39 njerëz humbën jetën dhe u plagosën më shumë se 3 mijë të tjerë. Sulmet besohet gjerësisht se janë kryer nga Izraeli, por autoritetet izraelite nuk e kanë mohuar dhe as kanë konfirmuar përfshirjen.

Të paktën 82 persona janë vrarë në Liban gjatë ditëve të fundit si rezultat i sulmeve izraelite dhe shpërthimit të pajisjeve të komunikimit, tha ministri libanez i Shëndetësisë Firass Abiad për Al Jazeera të shtunën.

Tridhjetë e tetë prej tyre u vranë në sulmin në Bejrutin jugor që synoi disa komandantë të Hezbollahut të premten, tha Abiad. Mes tyre ishin tre fëmijë dhe shtatë gra. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në vazhdim. 

Rreth 2,950 njerëz u plagosën nga shpërthimet e pagerit, tha Abiad. Prej tyre, 777 janë ende në spital dhe 152 në gjendje kritike. 

Shumë prej të plagosurve kanë humbur shikimin pjesërisht ose plotësisht, tha Abiad, duke shtuar se deri më tani janë kryer rreth 2,087 operacione. 

Shumica dërrmuese e të plagosurve ishin civilë që ndodheshin në dyqane dhe supermarkete në kohën e sulmeve, tha ministri, duke i përshkruar veprimet e Izraelit si një "krim lufte".

/rtsh.al/