RTSH 24 Live

Kulturë

Agim Krajka përcillet për në banesën e fundit, Rama: Në sytë tanë i dha emrin e tij firzamonikës

03/03/2021

Agim Krajka përcillet për në banesën e fundit, Rama: Në sytë tanë i dha emrin e tij firzamonikës

Është përcjellë sot për në banesën e fundit kompozitori i njohur, Agim Krajka, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë. Me një shënim në facebook, kryeministri Edi Rama shkruan se Krajka spikati me këngë të rrezikshme tingujsh të lehtë në atmosferën e rëndë të marsheve komuniste.

“Nuk e di nëse ka pasur një kompozitor tjetër që të jetë fishkëllyer aq shumë sa Agim Krajka në buzët e të dashuruarve të botës së djeshme shqiptare pa youtube e as telefon inteligjent”, shkruan Rama mes të tjerash.

Postimi i plotë:

AGIM KRAJKA që në sytë tanë i dha emrin e tij firzamonikës, iku sot në banesën e fundit.

Dibran nga rrënjët por dritën e diellit e pa në Kavajë, 84 vjet më parë, me firzamonikën e të atit pranë djepit.

Ajo firzamonikë e pandarë nga kraharori u bë e pandashme nga personaliteti i tij krijues, i cili spikati me këngë të rrezikshme tingujsh të lehtë në atmosferën e rëndë të marsheve komuniste dhe me variacione marramendëse në skenat e këngës popullore.

Nuk e di nëse ka pasur një kompozitor tjetër që të jetë fishkëllyer aq shumë sa Agim Krajka në buzët e të dashuruarve të botës së djeshme shqiptare pa youtube e as telefon inteligjent, po nuk besoj të këtë ndonjë nga banorët e asaj bote që sot nuk ka ndjerë një therje në zemër për shuarjen e burimit të atyre fishkëllimave.

U prehtë në paqe