RTSH 24 Live

Aktualitet

Administrata në Kthellë ende shërben në godinën e dëmtuar nga tërmeti

06/01/2025

Administrata në Kthellë ende shërben në godinën e dëmtuar nga tërmeti

Administrata e njësisë Kthellë në Mirditë vazhdon të shërbejë në godinën e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

Objekti dykatësh ka pësuar dëmtime në disa vende dhe suvaja vijon të bjerë çdo ditë, duke u kthyer në rrezik për jetën e punonjësve dhe qytetarëve, të cilët marrin shërbime.

Kjo situatë vijon prej më shumë se 6 vitesh, kur godina u shpall e pabanueshme.

"E rrezikshme është. Të ndodhë një tërmet tjetër do të jetë problem, aq më tepër që ndikon edhe lagështia," thotë Astrit Dedaj, administratori i njësisë.

Kryetari i bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi, thotë se godina e Kthellës është pjesë e projektit të rindërtimit, proces që pritet të nisë brenda këtij viti.

Deri në rikonstruksionin e saj po shihet mundësia që administrata të vendoset në një ambient tjetër.

"Ajo godinë është jashtë çdo funksioni dhe është e përfshirë te lista e ndërtesave që duhet të rindërtohen nga qeveria. Kemi biseduar me një individ, i cili ka një ndërtesë aty afër, që ta përshtatim deri sa të stabilizojmë gjendjen," deklaron z. Mëlyshi.

Bashkia e Mirditës ishte një ndër zonat me të prekura nga tërmeti i vitit 2019, ku aktualisht vijojnë të jenë të pastreha 105 familje.

/rtsh.al/