RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

90% e fëmijëve në Gazë vuajnë nga uria, Izraeli bën planin e "zisë së bukës" për Hamasin

12/10/2024

90% e fëmijëve në Gazë vuajnë nga uria, Izraeli bën planin e "zisë së bukës" për Hamasin

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe së Palestinës (PRCS) bën të ditur se përgjatë 12 muajve të fundit, 90% e fëmijëve në Gazë kanë vuajtur nga uria.

Vuajtjet njerëzore nuk duhet të normalizohen kurrë. Ne duhet të punojmë për t'i dhënë fund kësaj krize të vazhdueshme”, ka deklaruar në ‘X’ Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe së Palestinës (PRCS).

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha sot se asnjë ushqim nuk ka hyrë në veri të Gazës që nga fillimi i tetorit, duke vënë 1 milion njerëz në rrezik nga uria.

Në një raport të saj Programi Botëror i Ushqimit bën të ditur se ndihma që hyn në Rripin e Gazës ka rënë në nivelin e saj më të ulët duke e detyruar organizatën të ndalojë shpërndarjen e pakove ushqimore përgjatë këtij muaji.

Ndërkaq, mediat perëndimore, midis tyre CNN kishin kontaktuar me autoritetet dhe ushtrinë izraelite për të komentuar mbi mungesën e ushqimit që hynte në veri të Gazës që nga fillimi i muajit, por nuk kanë marrë përgjigje.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite po kryen një operacion të gjerë në Gazën veriore, që vjen vetëm disa javë pasi kryeministri Benjamin Netanjahu shpjegoi se po shqyrtonte një plan për të rrethuar zonën e për ta vendosur Hamasin në kushtet e urisë ekstreme në mënyrë që të detyrojë atë të lirojë pengjet.

Deri më tani kabineti izraelit nuk e ka miratuar propozimin e rrethimit të paraqitur nga gjenerali në pension Giora Eiland.

Por operacioni që po zhvillohet aktualisht ka ngjashmëri me planin e paraqitur nga Eiland në një video publike, dhe privatisht me kabinetin dhe parlamentin e Izraelit.

/rtsh.al/