RTSH 24 Live

Ekonomi

7.3 mln euro mashtrim me qytetarët, Gjykata lë në fuqi masat për përmbaruesit

24/05/2024

7.3 mln euro mashtrim me qytetarët, Gjykata lë në fuqi masat për përmbaruesit

Gjykata ka lënë në fuqi masat e sigurisë për 9 persona, 5 prej të cilëve arrest në burg e 4 arrest në shtëpi të akuzuar për mashtrimin përmes mikrokredive të mijëra qytetarëve debitorë.

Togat e zeza dhanë masën e sigurisë "arrest me burg" për Arben Meskutin, përmbarues gjyqësor, ortak i "FINAL"; Aldo Dakën, Albert Gegën dhe Edmond Maton, të tre administratorë të Star-FS, ndërkohë që u dha masa e sigurisë "arrest në shtëpi" për administratoren e Micro Credit Albania, Elda Ibro, si dhe për tre përmbarueset Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi dhe Kejda Seferi.

Në lidhje me skandalin është shpallur në kërkim Alban Kote.

Grupi prej nëntë personash akuzohet për vjedhje dhe shpërdorim detyre, ndërsa denoncimi ishte bërë për skema mashtruese dhe piramidale në dëm të mijëra qytetarëve.

Procedimi penal për skemën me mikrokreditë ka nisur në 25 shkurt të vitit 2020 pas kallëzimit të bërë në Prokurorinë e Tiranës nga Ministria e Drejtësisë.

Gjatë hetimeve Prokuroria ka zbuluar se 5 shoqëritë, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH morën nga një bankë e nivelit të dytë 3.999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej rreth 7,3 milionë euro.

Skema funksiononte përmes shtrëngimit të debitorëve në bankat e nivelit të dytë.

Fillimisht përmbaruesit blinin debinë e qytetarëve nga bankat e nivelit të dytë, më pas bënin kontratë me debitorët. Brenda një periudhe të shkurtër, qytetarët detyroheshin drejt marrjes së një kredie tjetër për të mbyllur të parën. Nga këtu, përmes skemave që nuk deklaroheshin në institucione, i çonin debitorët drejt borxheve të papërballueshme, si dhe nëpërmjet shoqërive përmbarimore u bllokonin rrogat, pronat, apo makinat.

Në një rast të detajuar nga Prokuroria, qytetarit me një borxh 340 mijë lekë i bllokuan 14 pasuri. Sipas prokurorëve, 17 mijë qytetarë kanë paguar rreth 500-fish më shumë sesa borxhi që kishin marrë.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh.al/