RTSH 24 Live

Aktualitet

300 banesa nën ujë në Durrës, nis vlerësimi i dëmeve për shpërblimin e të prekurve

9 orë para

300 banesa nën ujë në Durrës, nis vlerësimi i dëmeve për shpërblimin e të prekurve

Pas reshjeve të dendura që kanë përfshirë Durrësin për më shumë se 12 orë, situata e përmbytjeve ka krijuar vështirësi në disa zona të qytetit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se Forcat e Armatosura janë angazhuar maksimalisht për menaxhimin e situatës, duke përdorur hidrovoret dhe mjetet për pastrimin e zonave të prekura.

Ai theksoi se “Durrësi ka një situatë komplekse me përmbytjet, por Bashkia dhe Forcat e Armatosura po punojnë për t’u përgjigjur.”

Vengu shtoi se “Hidrovori ka punuar me kapacitete të plota dhe zonat po pastrohen. Mjetet e ndërmarrjeve publike dhe ato të Forcave të Armatosura janë angazhuar për të normalizuar situatën.”

Nga ana e saj, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, u shpreh se ekipet kanë qenë në terren që nga dita e djeshme dhe grupet e punës kanë filluar vlerësimin e dëmeve.

“Kjo zonë nuk ka pasur probleme të mëdha, por Shkozeti dhe zona e plazhit janë ato që kanë pasur problematikat më të mëdha. Vlerësimi i dëmeve po bëhet për të shpërblyer qytetarët e prekur,” tha Sako.

Përpjekjet për të normalizuar situatën vazhdojnë dhe autoritetet janë angazhuar për të siguruar ndihmën e nevojshme për qytetarët e prekur nga përmbytjet.

/rtsh.al/