RTSH 24 Live

Ekonomi

2023, zgjerohet sektori i peshkimit 

25/06/2024

2023, zgjerohet sektori i peshkimit 

Sektori i peshkimit në Shqipëri, ka shënuar vitin e kaluar një shtim të flotës, por edhe zënies së peshkut. 

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në vitin 2023, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 19.338 tonë nga 17.799 tonë që ishte në vitin 2022. Kjo është një rritje me 8,65%.

Kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit janë, “Akuakultura” me 47,27%, “Ujërat e brendshme” me 25,12%, pasuar nga peshkimi “Detar” me 22,02%. 

Në vitin 2023, rritjen më të madhe, e ka shënuar kategoria “Ujërat e brendshme” me 43,39% të zënieve gjithsej, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Aquakultura” me 14,46%.

Në vitin 2023, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe për sa i përket kategorive ujore, det, bregdet dhe laguna, është “Karkaleci i thellësisë” me 19,42%, pasuar nga “Merluc” me 15,17% dhe “Sardele” me 11,51%.

Në vitin 2023, janë 811 subjekte të licencuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit. 

Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 27 subjekte më shumë se një vit më parë.

Në vitin 2023, porti me numrin më të madh të anijeve të licencuara është Porti i Durrësit me 36,87% të flotës së përgjithshme, Porti i Vlorës ka 30,83% të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga Porti i Sarandës me 15,04%.

Portet e peshkimit me përqindjet më të vogla të subjekteve të licensuara për peshkim janë ato të Lushnje-Fier me 2,22%, Himarës me 1,60%.

Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica me 71,64% si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike) me 24,54%, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë.

Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera.

Një fokus të veçantë po i kushtohet prodhimit të rasateve si: Trofta Ylber, Koran dhe Krap si një vëmendje e shtuar dhe ndihmesë për ruajtjen e biodiversitetit.

Në vitin 2023, u prodhuan dhe hodhën në liqenin e Ohrit 3,3 milionë rasate të Troftës Ylber, 1,8 milionë rasate të Koranit dhe 1,15 milionë rasate Krap.

Sipas INSTAT

/ rtsh.al /