Nga 7 tetori i vitit 2023 po kryhen 12 hetime për krime lufte, që pretendohet se kanë për autorë ushtarët izraelitë.
Raportohet se hetimet janë hapur nga Brazili, Sri-Lanka, Tajlanda, Belgjika, Holanda, Serbia, Irlanda dhe Qiproja.
Në vazhdën e hetimeve nuk ka pasur ushtarë të arrestuar, por pretendohet se autoritetet izraelite i kanë njoftuar personat për t'u larguar nga vendi që kanë nisur hetimet.
Mediet braziliane raportuan të dielën se një pjesëtar i Forcës Izraelite të Mbrojtjes (IDF), i cili i mbijetoi masakrës së 7 tetorit nga grupi Hamas gjatë një festivali muzikor dhe që ka luftuar në Rripin e Gazës, u detyrua të largohet nga Brazili, pasi Gjykata Federale urdhëroi policinë që të nisë procedimin për krime lufte me nismë të Fondacionit Hind Rajab (HRF), një organizatë palestineze me bazë në Bruksel.
Javën e kaluar, HRF-ja (që e ka marrë emrin nga një fëmijë palestinez i vrarë në luftime) pretendoi se i dyshuari - që ndodhej në Brazil si turist - kishte marrë pjesë në shkatërrimin e shtëpive e lagjeve të tëra në Gazë.
Avokatja Maira Pinheiro paraqiti edhe prova fotografike mbi lëvizjet e të dyshuarit dhe përfshirjen e tij në krimet e pretenduara. Në to, ushtari i përmendur paraqitet i pajisur me eksplozivë.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, raportohet se siguroi që rezervisti të largohej nga Brazili i parrezikuar, pasi arriti të kontaktojë atë dhe familjen e tij.
Izraeli e nisi ofensivën e vet në Gazë pas sulmit të 7 Tetorit 2023, kur militantët e Hamasit mësynë në komunitetet në kufi të vendit, duke vrarë gati 1.200 persona, ndërsa 250 banorë të tjerë u morën peng. Fushata ushtarake vlerësohet se deri tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 45 mijë palestinezëve. /TI
/rtsh.al/