RTSH 24 Live

Politikë

110-vjetori i Pavarësisë/ Rama: Njohja e Kosovës nuk do vonojë! Kurti: Perspektivat dhe kritikat ndaj njëri-tjetrit na çojnë para

27/11/2022

110-vjetori i Pavarësisë/ Rama: Njohja e Kosovës nuk do vonojë! Kurti: Perspektivat dhe kritikat ndaj njëri-tjetrit na çojnë para

Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë së bashku për të ecur para drejt familjes europiane si dhe të bashkëpunojnë për të vendosur në lartësinë e duhur gjakun e dëshmorëve që i sollën lirinë popullit shqiptar. Ky ishte mesazhi që dy kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama dhanë gjatë fjalës së tyre në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë për 110 vjetorin e Pavarësisë.

Kryeministri Edi Rama tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë vetëm të shkëlqyera, por edhe produktive. Rama kërkoi që dy shtetet t’i japin vendin e duhur në libra dhe hapësirat publike 40 firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së shqiptarëve.

“Sot nuk mund të lihet pa kujtuar se historia jetësore e 40 firmëtarëve të pavarësisë përshkruhet nga funde tragjike në kontrast ekstrem me shkëlqimin e artë të firmës së tyre në deklaratën e pavarësisë. Të gjejmë një qasje t’i hapim një rrugë vendosjes aty ku duhet në libra dhe në hapësira të përbashkëta të atyre 40 burrave pa të cilët nuk do të dihet si do ishin ne më pas. Shqiptaret nuk kanë qenë kurrë me mirë në raport me të huajt, por përsëri edhe sot unë nuk besoj se shqiptarët janë më  mirë në raport me vetveten. Kosova nuk do pres aq sa ka pritur për t’u njohur dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të organizimit të botës ku ne jetojmë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë vetëm të shkëlqyera por janë edhe produktive më shumë seç kanë qenë ndonjëherë. Mjafton të shohim të dhënat e shkëmbimeve tregatre apo lirinë e lëvizjes që deri dje dukej e pamundur, apo abetaren e përbashkët, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik”, tha Rama.

Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se dy vendet duhet të punojnë së bashku dhe të përfshihen në çështjet publike të njëri-tjetrit jo për të penguar, por për të përparuar. Teksa rendi arritjet mes dy vendeve, Kurti tha se pas abetares së përbashkët po punohet për fjalorin e përbashkët enciklopedik.

“Ndarjet krahinore ishin pengesë e prapambeturi atëherë dhe janë edhe sot. Duhet të përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit jo për të penguar, por për të përparuar. Duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në festa dhe jo vetëm ne politikanët. Duhet të pranojnë perspektivat dhe kritikat e njëri-tjetrit. Në Kosovë ne i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara sot është anëtare e NATO-s, ka nisur negociatat me BE dhe ka ecura para në shumë fusha. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të mos u ndalen por vetëm t’u shtohemi çdo ditë, jam i bindur se ashtu siç gëzohemi ne edhe Shqipëria gëzohet për Kosovën. Kemi abetaren e përbashkët dhe po punohet për fjalorin e përbashkët enciklopedik. Kemi unifikuar tregjet e punës dhe po punojmë për unifikimin e doganave, po punojmë për lidhjen e portit të Durrësit me Portin e Thatë të Prishtinës dhe linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë. Situata nuk është askund rozë, dhe nëse pushojmë së punuari ne menjëherë rrezikojmë. Rrezik është mosveprimi dhe jo puna jonë”, tha Kurti.

/rtsh.al/