RTSH 24 Live

Politikë

Pr.ligji për kartat e identitetit, PD e kundërshton për shkak të sigurisë dhe kostos

6 orë para

Pr.ligji për kartat e identitetit, PD e kundërshton për shkak të sigurisë dhe kostos

Iniciativa e qeverisë për pajisjen e shtetasve shqiptarë me mjete identifikimi digjitale u kundërshtua nga Partia Demokratike (PD).

Në Komisionin e Ligjeve u zhvillua një debat i nxehtë mbi projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë".

Deputetja Dhurata Çupi nga PD-ja e kundërshtoi ashpër këtë projektligj, duke theksuar se ai është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe mund të sjellë një tjetër koncesion të dëmshëm për buxhetin e shtetit.

"Duket qartë përpjekja e qeverisë për të dhënë koncesionin e radhës. Është haptas në kundërshtim me Kodin Zgjedhor," tha znj. Çupi, ndërsa ngriti shqetësime lidhur me ruajtjen e të dhënave dhe sigurimin e kostos së ID-ve digjitale.

Në përgjigje, Klotilda Bushka, drejtuesja e Komisionit, theksoi se projektligji ka si qëllim modernizimin e menaxhimit të dokumenteve të identitetit dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

"[Projektligji] nuk bie ndesh me Kodin Zgjedhor dhe ndalimet e tij. Ai ka të bëjë me menaxhimin e prodhimit të dokumenteve të identitetit," u përgjigj znj. Bushka.

Zv.ministri i Brendshëm, Andi Mahila, sqaroi se ky është një hap i domosdoshëm për të ofruar ID digjitale për shtetasit shqiptarë, duke i përshtatur ato me standardet ndërkombëtare.

Z. Mahila gjithashtu siguroi se do të ketë një kartë fizike për identifikim dhe mbrojtja e të dhënave personale do të jetë e garantuar.

"Identiteti digjital është një mundësi identifikimi shtesë, jo i detyrueshëm dhe jo i zëvendësueshëm me letërnjoftimin elektronik, fizik të pajisur me çip. Patjetër që garantohet të dhëna e mbrojtjes të të dhënave personale," tha zv.ministri.

Megjithatë, deputeti demokrat Asllan Dogjani ironizoi mbi sigurinë e të dhënave, duke theksuar se ato tashmë janë në treg. Ai ngriti dyshime mbi mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm.

"Edhe këto të dhëna do të sigurohen siç i keni siguruar tani. Jam i sigurt që të dhënat e qytetarëve shqiptarë janë në treg," deklaroi z. Dogjani.

Komisioni i Ligjeve e miratoi projektligjin, që i hap rrugën shqyrtimit të tij të mëtejshëm në komisionet përgjegjëse.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/