RTSH 24 Live

Kuriozitete

1 Prilli i gënjeshtrave - Dita ku të gjithë lejohemi të bëjmë rrengje pa u keqkuptuar

01/04/2024

1 Prilli i gënjeshtrave - Dita ku të gjithë lejohemi të bëjmë rrengje pa u keqkuptuar

Këtë të hënë në gjithë botën festohet 1 prilli, në të cilën njerëzit gënjejnë,  bëjnë shaka, dhe rrengje me njëri-tjetrin, por sigurisht pa e marrë për keq, pasi e tillë është dita e gënjeshtrave. Ndërsa kjo ditë shënohet gati në shumë vende të botës, shumica e të cilave e quan dita e budallenjve dhe në qendër të saj janë rrengjet, origjina e saj nuk është e qartë.

Ka nga ato gojëdhëna sipas të cilave gjithçka filloi në mes të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, kur Papa Gregori i 13-të urdhëroi zbatimin e kalendarit Gregorian, sipas të cilit një janari duhet ishte dita e parë e vitit, në vend të atij Julian, që ditën e  parë të vitit kishte 1 prillin.

Shumë vende evropiane protestante refuzuan t’i binden urdhrit të papës. Por Franca përvetësoi kalendarin gregorian, duke cilësuar një janarin nisjen e vitit të ri.  Francezët që nuk dinin asgjë për këtë ndryshim vijonin të festonin vitin e ri në datën me të cilën ishin mësuar, pra 1 prill, dhe të tjerët që ishin në dijeni të ndryshimit i tallnin dhe iu tregonin histori të tjera të pavërteta që t’i besonin. 

Një tjetër teori sugjeron se origjinën e ka në Romën e lashtë, ku festivali i gëzimit, Ilaria, kremtohej në fund të marsit. Gjatë tij banorët e Romës maskoheshin dhe i bënin rrengje bashkëqytetareve.  Sido të jetë origjina e 1 prillit, ajo vjen si ditë ku mund të qeshësh dhe të kremtosh jetën, duke lënë pas mendimet negative.

Gazetare: E. Pepa

/RTSH/