RTSH 24 Live

Greqi

Zgjedhjet e 21 majit në Greqi/ Parlamenti kalon ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes së partisë kombëtare “Grekët”

12/04/2023

 Zgjedhjet e 21 majit në Greqi/ Parlamenti kalon ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes së partisë kombëtare “Grekët”

Deputetët grekë kanë votuar në favor të një projektligji që ndalon partinë kombëtare, "Grekët" të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 21 majit, duke synuar që të pengojnë që disa nga anëtarët  e saj që kanë lidhje me organizatë kriminale neonaziste “Agimi i Artë” të hyjnë në organin legjislativ të vendit.

Partia kombëtare "Grekët" u krijua rreth 2 vite më parë nga ish deputeti, Ilias Kasidiaris, i cili aktualisht po vuan një dënim prej 13 vitesh burg për rolin e tij udhëheqës në "Agimin e Artë", parti kjo që u shpall organizatë terroriste, në vitin 2020 pasi u akuzua për vrasje, dhunë racore dhe pastrim parash.

Pavarësisht se në burg, Kasidiaris ia doli të fitonte mbështetjen për krijimin e partisë "Grekët" përmes mesazheve të postuar në Youtube. 

Në muajin shkurt, qeveria greke kishte kaluar në parlament legjilsacionin që ndalonte pjesëmarrjen në zgjedhje të partisë kombëtare "Grekët"  duke argumentuar se lideri i saj ishte dënuar për shkelje të rënda ligjore dhe partia nuk mund t’i shërbente funksionimit të lirë të një kushtetute demokratike.

Por javën e shkuar, për të shmangur këtë ndalesë, në krye të partisë u emërua një lider i ri, një prokuror i dalë në pension. Kjo bëri që qeveria e Mitsotakis të dërgonte në parlament propozimin për ndryshimin e ligjit, duke zgjeruar fushën e veprimit të ndalesës.

Pro ndalesës votoi partia e kryeministrit Mitsotakis, “Demokracia e re” dhe opozitarja “Pasok”.  Kundër votuan “Zgjidhja” greke, partia e ish-ministrit të Financës Yanis Varoufakis si dhe partia komuniste greke që argumentuan se projektligji hapte një dritare për përjashtimin nga zgjedhjet të partive të tjera politike në të ardhmen.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh/