Deputetja e Partisë së Lirisë(PL), Erisa Xhixho deklaroi se, buxheti për vitin 2024 parashikon zero mbështetje për qytetarët dhe njerëzit në nevojë dhe miliona euro për klientët e qeverisë.
Duke folur në emisionin “Ekspres” në RTSH, Xhixho u shpreh se qeveria i hoqi opozitës në mënyrë antikushtetuese të drejtën për ngritjen e komisioneve hetimore, gjë e cila është parashikuar në Nenin 77, si një e drejtë e opozitës për të propozuar ngritjen e komisioneve.
“Opozita është detyruar të kalojë në veprime ekstreme për të ushtruar të drejtat e saj . PL ka qenë në sinkron me gjithë aksionin opozitar duke plotësuar 3 kërkesat e opozitës të cilat i garanton kushtetuta. Neni 77 e thotë mjaft qartë që ¼ e deputetëve kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor është detyrimi i kuvendit të ngrejë këtë komision”, tha Xhixho.
Sipas N/Kryetares së PL-së, mazhoranca nuk i merr konsideratë propozimet e opozitës edhe kur propozon ngritje të komisioneve hetimore, kur bënë propozime për pr/ligje.
“E gjithë kjo qasje e mazhorancës ndaj opozitës vjen si rrjedhojë e mos konsideratës që ajo ka për opozitën kur propozohen ngritjet e komisioneve hetimore, pr/ligje. Pra kjo është sjellja e mazhorancën ndaj opozitës e cila kjo e fundit ka vetëm të drejtën e fjalës dhe ushtrimin e detyrave kushtetuese për të cilat janë votuar”, tha Xhixho.
Ndër të tjera deputetja Xhixho theksoi se ,” institucioni i Kuvendit duhet të ishte institucioni më i lart dhe jo një degë e ekzekutivit sikurse është kthyer në fakt. Sikurse bëhet e qartë dhe në Progres Raportit e Komisionit Evropian, që Parlamenti nuk ka ushtruar kontroll ndaj qeverisë. Pra jemi në kufij të moskryerjes së funksioneve kushtetuese të Parlamentit”
Kjo mazhorancë nuk do që të japi llogari, theksoi Xhixho, dhe sipas saj, në gjykimin e PL-së, ky buxhet është i njëjte më vitet e kaluara sepse nuk i shërben njerëzve por i shërben PPP-ve dhe koncesioneve.
“Është rritur buxheti por nuk është rritje prej performancës së mirë prej mbledhjes të së ardhurave por është rritur prej sigurimet shoqërore, prej tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurave” shtoi ajo.
Duke u ndalur në analizën për buxhetin e propozuar nga mazhoranca për vitin e ardhshëm, Xhixho u shpreh se, “ paketa e re fiskale do të ketë efekte negative, dhe tatim të të ardhurave deri ne 23 përqind për profesionet e lira”.
Sipas saj, ky buxhet ul shpenzimet sociale dhe nuk ka rritje për pagesat e papunësisë apo të pensioneve. Shpenzimet për financimin e PPP-ve do të rriten me 136 mln euro, ndërkohë që shumica e tyre janë në hetim.
“Dua të nënvizojë rrezikun e rritjes së çmimeve të ushqimeve. Rritja dyshifrorë e frutave dhe perimeve, janë pjesë e shqetësimeve të konsumatorëve.
Pra do tatohet shtresa e mesme. Janë mbi 500 familje që shkurtohen nga ndihma ekonomike, nuk është parashikuar rritje për pagat e papunësisë”nënvizoi më tej ajo.
Pasi sikurse e përmendëm, shtoi Xhixho, treguesi më pozitiv i buxhetit, është rritja e angazhimit sa i takon koncesioneve apo PPP-ve. Korrupsioni është problematike. Ka 10% rritje për shpenzimet e PPP-ve, 12 milion euro do shkojnë për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston, përafërsisht 200 milion euro do jenë gjobat që duhet të paguaj qeveria për shkak të keqqeverisjes dhe arbitrazhit”.
/rtsh.al/