RTSH 24 Live

Muzikë

"Triptiku" në TKOB - Rikthehet vepra e Puçinit me tri opera në një

27/02/2024

"Triptiku" në TKOB - Rikthehet vepra e Puçinit me tri opera në një

Rikthehet pas gati një dekade në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, vepra e kompozitorit italian Xhakomo Puçini (Giacomo Puccini), "Il Trittico" ("Triptiku").

Tri opera në një, shfaqja nis me “Il Tabarro” për të vijuar me "Suor Angelica" dhe për t'u mbyllur me operën "Gianni Schicchi".

Ky triptik veç emrave të njohur të skenës operistike shqiptare do të ketë edhe italianë.

Debutuese e një prej roleve më të vështira, atë të Xhorxhetës, do të jetë soprano Donata D'Annunzio Lombardi.

"Unë do të interpretoj Xhorxhetën te 'Il Tabarro', e cila do të jetë opera e parë e triptikut. Është interesante të shohësh se si këto tri opera të ndryshme nga njëra-tjetra na prezantojnë binomin mes dashurisë dhe vdekjes," shprehet sopranoja italiane.

Fundi tragjik është elementi që bashkon tri veprat, ndonëse përmbajtja e tyre është krejtësisht e ndryshme nga njëra-tjetra.

"Puçini është shumë emocional. Kjo është gjëja e tij kryesore: emocioni i jashtëzakonshëm që mbartet te personazhet. Bëhet për ne akoma më e vështirë, një punë e dyfishtë, sepse duhet të mbash lotët, emocionet, dhe vetëm të përcjellësh sa më shumë," thotë sopranoja Ramona Tullumani.

Dinamikat do t’ju çojnë nga skena e një historie dashurie në Parisin e romancave, në një manastir murgeshash, ku një nënë vuan dënimin duke mos mundur dot të takojë fëmijën e saj, për të përfunduar me aktin e fundit në Firence.

Dramaticiteti i shfaqjes "Il Trittico", emocionet dhe interpretimi do të mbajnë të mbërthyer publikun për më shumë se tri orë në datat 29 shkurt dhe 1, 2 e 3 mars në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/