Aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj vjen këtë nëntor me librin “Të fshehta jashtë ekranit”. Portretet e artistëve të mirënjohur janë pjesë e librit i cili është promovuar mbrëmjen e 7 nëntorit mes miqve dhe kolegëve të tij artistë.
Shanaj thotë se libri përmban copëzat e vërteta nga përjetimet e tij, krejtësisht pa zbukurime letrare.
“Nuk ka të fshehta, por ka gjëra që ju publiku i keni parë në karaktere duke interpretuar dhe nuk keni parë karakterin e tyre se si janë realisht. Jam munduar të tregoj se si kanë qenë marrëdhëniet e mia me ta, që deri më tani i mbaja për vete, derisa vendosa t’i ndaj me ju.
Regjisori Mevlan Shanaj tregon se janë 50 artistë me të cilët ka punuar, ku kujtimet për ta kanë udhëtuar brenda tij, por që tani do të vijnë dhe për lexuesin. Miqtë dhe kolegët kanë rrëfyer në këtë mbrëmje dhe disa nga kujtimet e shesh xhirimeve.
“Të fshehta jashtë ekranit” për regjisorin Shanaj nuk është thjesht libër, por është një memorial artistik një album kujtimesh. Libri do të jetë dhe në Panairin e Librit 2024.
/rtsh.al/