RTSH 24 Live

Aktualitet

‘Strasburgu’ rrëzon vendimin e KPA: Të rihapet çështja për prokurorin Besnik Cani

04/10/2022

‘Strasburgu’ rrëzon vendimin e KPA: Të rihapet çështja për prokurorin Besnik Cani

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë të drejtë prokurorit Besnik Cani të shkarkuar nga vettingu që të rikthehet edhe një herë për gjykim. Prokurori Besnik Cani, ish anëtar i KLP, u shkarkua nga detyra marsin e vitit 2020 nga KPA, ndërsa ai apeloi vendimin në Strasburg me arsyetimin se pjesë e trupës gjykuese ishte Luan Daci, i cili është dënuar për falsifikim të dokumenteve për t’u bërë pjesë e Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Pas shqyrtimit të dosjes, Strasburgu vendosi me 6 vota pro dhe një kundër se Luan Daci është zgjedhur padrejtësisht në KPA dhe atëherë vendimi është i padrejtë, kështu që çështja duhet të rikthehet për gjykim për Besnik Canin.

 “Rrjedhimisht, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë dhe në masën që mund të jetë e mundur sipas ligjit të brendshëm, forma më e përshtatshme e dëmshpërblimit për shkeljen e së drejtës së ankuesit për një “gjykatë  të krijuar me ligj” sipas nenit 6, 1 të Konventës do të ishte rihapja e procedurave, nëse aplikanti kërkon një rihapje të tillë, dhe rishqyrtimi i çështjes në një mënyrë që është në përputhje me të gjitha kërkesat e nenit 6, 1 të Konventës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Lidhur me kërkesën e Besnik Canit për t’u rikthyer menjëherë në zyrën e tij pas anulimit të vendimit të KPA, gjykata e refuzoi atë.

/rtsh.al/