RTSH 24 Live

Ekonomi

“Starlink” në Shqipëri, internet në çdo skaj të vendit. Eksperti: Përfiton turizmi e transporti detar

14/04/2024

“Starlink” në Shqipëri, internet në çdo skaj të vendit. Eksperti: Përfiton turizmi e transporti detar

Shërbimi i internetit tashme është i mundur edhe në zonat më të thella të vendit. Këtë do ta mundësojë në Shqipëri kompania “Starlink” e Elon Musk. 

Për ekspertin e Teknologjisë dhe Informacionit Ergest Nako ky shërbim do t’i mundësojë qytetarëve dhe bizneseve një qasje më të mirë në internet.

“Për momentin është rrjeti më i madh i satelitëve që operojnë në shërbimin e internetit dhe është më largësi të pakët nga Toka duke ofruar kështu një internet të shpejtë në shërbime broadcasting dhe telekonferencave me cilësi të lartë”, tha eksperti.

Por çfarë sjell të re kompania e Elon Musk në tregun e ofruesve të internetit në Shqipëri?

“Interesi do të jetë për ato biznese ose persona që janë në zona që nuk mbulohen aktualisht nga operatorët e tregut shqiptar. Gjithashtu edhe për ata shërbime ose biznese që janë në lëvizje dhe duan akses në internet gjatë gjithë kohës. Me interes do të jenë edhe operatorët e shërbimeve turistike dhe anijeve”, tha Nako.

Për shkak të specifikave që ka ky shërbim vjen me kosto sa i përket instalimit.

“Shërbimi është pak më i shtrenjtë se interneti normal aktual që ofrohet për familjarët. Kosto më e madhe për momentin është ajo e instalimit të pajisjeve”, tha eksperti i Teknologjisë dhe Informacionit Ergest Nako.

Për Nakon sektori i cili do të përfitojnë më së shumti nga këto shërbime është turizmi, por edhe sektorë të tjerë si transporti detar.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/