RTSH 24 Live

Botë

”Politico”: Një luftë Izrael- Hezbollah mund të shpërthejë, nëse nuk negociohet

28/06/2024

”Politico”: Një luftë Izrael- Hezbollah mund të shpërthejë, nëse nuk negociohet

Një luftë në shkallë të gjerë midis Izraelit dhe Hezbollahut mund të shpërthejë në javët e ardhshme nëse Izraeli dhe Hamasi nuk arrijnë një marrëveshje armëpushimi në Gaza, shkruan ”Politico”, duke cituar burime të shërbimeve sekrete amerikane.

”Zyrtarët amerikanë po përpiqen të bindin të dyja palët për të ulur tensionet, një detyrë që do të ishte shumë më e lehtë me një armëpushim në Gaza”, shkruan Politico.

Megjithatë, marrëveshja është subjekt i negociatave të tensionuara dhe zyrtarët amerikanë nuk janë të sigurt se Izraeli dhe Hamasi do ta pranojnë marrëveshjen aktualisht në tryezë në të ardhmen e afërt.

Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit dhe Hezbollahu kanë hartuar plane luftarake dhe po kërkojnë të prokurojnë armë shtesë, sipas dy zyrtarëve të lartë amerikanë të njohur me informacionin sekret.

Të dyja palët kanë thënë publikisht se nuk duan të shkojnë në luftë, por zyrtarë të lartë të administratës Biden besojnë gjithnjë e më shumë se luftimet intensive ka të ngjarë të shpërthejnë pavarësisht përpjekjeve për ta parandaluar atë.

”Rreziku është më i lartë tani se në çdo kohë në javët e fundit thekson një tjetër zyrtar i lartë amerikan”.

 

/rtsh.al/