RTSH 24 Live

Politikë

“Patronazhim edhe në xhami”, Jorida Tabaku kundër qeverisë: Përdorimi politik i fesë prish harmoninë fetare

3 orë para

“Patronazhim edhe në xhami”, Jorida Tabaku kundër qeverisë: Përdorimi politik i fesë prish harmoninë fetare

Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku, nuk e ka pritur mirë përjashtimin e opozitës nga inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë.

Shqetësimi që ndieva dje ishte patronazhimi i çdo aktiviteti, duke përjashtuar opozitën nga çdo aktivitet. Nuk më pëlqeu fare që harmoninë tonë fetare qeveria nuk e zbatoi për ta patur dhe zgjeruar me të gjithë spektrin politik. Çfarë të keqe do të kishte po të kishte të ftuar nga opozita? Të njëjtën gjë bëri qeveria edhe me bazën e NATO-s. Harmonia fetare duhet të ishte respektuar edhe për ata që kanë të njëjtin besim në të gjitha krahët e politikës,” tha znj. Tabaku në emisionin “Pa Censurë”, ku ajo u pyet se çfarë mesazhi jepte tek besimtarët myslymanë dhe tek shoqëria përjashtimi nga ceremonia i Kryetarit të Komunitetit Myslyman. 

Jorida Tabaku, që i përket vetë besimit islam, nuk dha një përgjigje direkte, në përpjekje për të mos u bërë pjesë e debatit.

Shqipëria ka një harmoni fetare të pashoq dhe sa herë që politika është futur, e ka prishur. Do të preferoja që pikërisht këtë harmoni që ia kërkoj edhe maxhorancës ta respektojë, të mos e prish unë. Prandaj nuk dua të përfshihem në këtë debat, për hir të besimit tim, por njëkohësisht edhe për hir të shumë myslymanëve që e kanë dëshiruar që Tiranës t’i shtohet kjo xhami, që e konsideroj si një pasuri shpirtërore,“ u shpreh Jorida Tabaku në intervistën me gazetaren Elona Meço, në emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/