RTSH 24 Live

Teknologji

NASA publikon pamje të detajuara të Jupiterit dhe Ganymede

16/07/2021

 NASA publikon pamje të detajuara të Jupiterit dhe Ganymede

Sonda Juno e NASA-s ka fluturuar edhe më afër Jupiterit dhe hënës së saj më të madhe, Ganymede, se çdo anije tjetër kozmike në më shumë se dy dekada - dhe imazhet e kapura janë të mrekullueshme.

Juno iu afrua Ganymede më 7 qershor, përpara se të bënte fluturimin e saj të 34-të në Jupiter të nesërmen, duke udhëtuar nga poli në pol për më pak se tre orë.

Të enjten, NASA publikoi ​​një seri imazhesh të kapura nga “JunoCam” i anijes kozmike, duke dhënë një këndvështrim të "kapitenit të anijes" për secilin fluturim.  Ato shënojnë pamjet e para nga afër të hënës më të madhe në sistemin diellor që kur “Galileo” fluturoi për herë të fundit në vitin 2000.

Videoja e cila zgjat tre minuta e gjysmë, tregon hapësirën brenda 645 miljeve nga Ganymede me 41,600 milje në orë.  Imazhet tregojnë rajonet më të zbehta dhe të errëta të hënës, që besohet të jenë rezultat i akullit, i cili ka kaluar nga gjendja e ngurtë në të gaztë. Në video shihet teksa anija udhëton dhe në Jupiter , një udhëtim 735,000 milje nga Ganymede të cili “Junos” e përshkon për 14 orë e 50 minuta. 

Të dukshme nga ai këndvështrim janë ciklonet në polin verior të gjigandit të gazit, si dhe pesë "varg margaritarësh" - stuhi gjigante që rrotullohen në hemisferën jugore, duke u shfaqur si ovale të bardha. "Videoja në formë animacioni tregon sesa i bukur mund të jetë eksplorimi i thellë i hapësirës," tha Scott Bolton, drejtuesi i “rrugëtimit”  të Juno, në një deklaratë. 

Fluturimi tjetër në Jupiter, është udhëtimi i 35-të i Junos, dhe është planifikuar për në 21 korrik.