Gjykata e Elbasanit ka ndryshuar masat e sigurisë ndaj 7 pedagogëve të Universitetit të Elbasanit, të cilët akuzohen për korrupsion pasiv dhe aktiv pasi kanë marrë shuma të ndryshme parash kundrejt kalimit të sezonit të vjeshtës .
Pas një seance, e cila zgjati përreth 3 orë, gjyqtarja Yrfet Shkreli vendosi "detyrim paraqitje" për 7 pedagogët dhe "arrest me burg" për sekserin.
Gjithashtu për pedagogët, Gjykata vendosi pezullim nga funksionet dhe ndalim të daljes jashtë vendit.
Ne përfundim është shpallur po nga kjo gjykatë moskompetencë duke e deleguar çështjen në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ngjarja erdhi pas denoncimeve nga një emision investigativ në vend. Policia bëri të ditur se gjatë operacionit “Teza” u arrestuan në flagrancë Monika H., pedagoge e lëndës ‘Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme’, Beatriçe G. e lëndës ‘Të mësuarit nëpërmjet lojës’, Florinda T., e Filozofisë së edukimit, Adrian Sh., pedagog i lëndës 'Edukimi motorik', Ornela B., pedagoge e ‘Artit dhe krijimtarisë’ dhe Zyhra G., pedagoge e lëndës ‘Puna me familjen dhe komunitetin’. Pedagogia që ende nuk është arrestuar është Edlira G., e lëndës "Letërsi për fëmijë".
Gjykata e Elbasanit në 1 nëntor dha masën “arrest me burg” për të 8 të dyshuarit të cilën e ndryshoi sot edhe pse hetimi është ende aktiv.
/rtsh.al/