RTSH 24 Live

Kulturë

“Gjaku i Martirëve të Kombit”, drama e bazuar në ngjarje të vërtetë vjen në katedralën Shën Palit

18/03/2023

“Gjaku i Martirëve të Kombit”, drama e bazuar në ngjarje të vërtetë vjen në katedralën Shën Palit

Në Katedralen Shën Pali u dha drama “Gjaku i martirëve të kombit”. Nën kujdesin e Imzot Arjan Dodaj, drama erdhi, e interpretuar nga një kastë aktorësh të shquar, si Bujar Asqeriu, Gëzim Rudi, Marjana Kondi, Margent Caushi e shumë të tjerë.

Kjo dramë është e bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Zana Tako dhe prek temën e martirizimit të kombit shqiptar gjatë diktaturës komuniste, sidomos të klerit katolik, i cili i dha këtij kombi 38 martirë, të cilët me qëndresën forcën në besim dhe gjakun e tyre shkruan historinë e qëndresës shpirtërore gjatë periudhës së errët të diktaturës.

Ngjarjet e dramës zhvillohen në hetuesinë dhe burgun e qytetit të Shkodrës, djepin e qëndresës dhe të plagëve të popullit martir gjatë periudhës së errët të diktaturës. Në skutat e errëta të hetuesisë dhe burgut, që përbëjnë skenat e ngjarjes, gjendet Padre Lazëri, malësori Gjin, e malësorë të tjerë si Kola, apo gruaja e Kolës. 

Kjo dramë bazohet në historinë e vuajtjeve, dënimeve, burgimeve dhe internimeve të njerëzve të pafajshëm, të cilët patën fatin të përjetonin vite nga më të rëndat në jetën e tyre, vite që dëshmojnë, se jeta nuk mund të burgoset, se njeriu nuk mund ta luftojë njeriun, duke e shpallur armik të popullit, në emër të diktatit të asaj kohe.

Drama paraqet dëshmi të gjallë dhe tronditëse për jetën njerëzore në periudhën më të errët diktatoriale të kombit shqiptar, duke kontribuar në mbajtjen gjallë të kujtesës kolektive, si dëshmi e krimeve kundër njerëzimit dhe dinjitetit njerëzor, si të vërteta të pamohueshme historike të popullit shqiptar, me të cilat brezat e ardhshëm duhet të edukohen dhe të bazojnë liritë e individit.

/rtsh/