RTSH 24 Live

Kulturë

“Fletë nga jeta”, promovohet në Elbasan libri i fundit i Dhimitër Shuteriqit

23/04/2024

“Fletë nga jeta”, promovohet në Elbasan libri i fundit i Dhimitër Shuteriqit

Në ditën Botërore të Librit në bibliotekën publike të Elbasanit u promovua krijimtaria  e fundit e  personalitetit të shquar të historisë dhe letërsisë shqiptare  Dhimitër Shuteriqi, “Fletë nga Jeta Ime”.

Teksa shfletojmë këtë libër mësojmë shumë jo vetëm për jetën e Shuteriqit dhe familjes së tij por njohim një pjesë Shqipërie të shekullit të kaluar sidomos Elbasanin dhe Korçën, dy qytetet simbol të arsimit.

Mua mu përvijua e gjithë fëmijëria ime, gegërishtja e Elbasanit, rrugët e qytetit, madje pata një ndjesi të tillë që kur ecja në rrugët e qytetit kërkoja me mendjen time toponimet që i kisha lexuar tek vepra e Shuteriqit”, tha Natasha Porocani Shuteriqi, autore, pinjolle e Familjes Shuteriqi.

Ideatorja e aktivitetit pinjollja e familjes Shuteriqi shkrimtarja Natasha Poroçani (Shuteriqi) kërkon nga pushtetit lokal të lartësojë emrin e Dhimitër Shuteriqit

Në këtë promovim, të pranishme ishin dhe dy vajzat e Dhimitër Shuteriqit, Zana dhe Mira. Krenare për çka babai i tyre la pas Zana përcolli amanetin e tij, trashëgiminë ndër breza të gjuhës së pastër shqipe.

Shkrimtar dhe sigurisht i pasionuar pas shqipes, dhe këtë mani të shqipes së pastër, na e ka kaluar dhe ne dhe përpiqemi që gjuhën shqipe të mos e infektojmë shumë”, tha Zana Shuteriqi, vajza e Dhimitër Shuteriqit.

Duke lexuar “Fletë nga jeta ime” lexuesi buzëqesh, ngashërehet, reflekton, kthehet pas në kohë, udhëton me qerre e karroca me shoqërues befasues, takon njerëz të famshëm e të thjeshtë. Kjo është mjeshtëria që sjell pena e artë e Dhimitër Shuteriqit, i cili kurrë nuk e harroi Elbasanin, qytetin e tij të lindjes.

/RTSH/