RTSH 24 Live

Politikë

‘Beleri’, Mitsotakis: Do ketë implikime në përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së

17/09/2023

‘Beleri’, Mitsotakis: Do ketë implikime në përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së
Kryeministri grek, Kiriakoks Mitsotakis

Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, në një konferencë shtypi në Panairin e 87-të Ndërkombëtar të Selanikut (TIF) të dielën, komentoi sërish edhe rastin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg me akuzën për shitblerje votash.

Duke folur për gazetarët Mitsotakis tha në komentet e tij se “marëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë janë lënë në hije nga rasti i burgosjes së Fredi Belerit”.

Sipas tij, qëndrimi i Shqipërisë "përmbys progresin e rëndësishëm të katër viteve të mëparshme në marëdhëniet mes të dy vendeve”.

Mitsotakis, ashtu si edhe shumë zyrtarë të tjerë grek, këmbëngul që kryebashkiaku i Himarës duhet të lejohet të bëjë betimin, qoftë edhe nga burgu.

“Unë nuk ndërhyj në drejtësinë shqiptare, por kjo është shkelje e shtetit të së drejtës dhe krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe që do të kenë implikime më të gjera në përpjekjen e Shqipërisë për t'iu afruar BE-së,”- deklaroi ai, raporton Ekathimerini.

Tre ditë më parë Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi të kalojë për gjykim çështjen ‘Beleri’ i arrestuar dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit me akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”.

Kryeministri Edi Rama në disa deklarime rreth kësaj çështje ka bërë të qartë se rasti ‘Beleri’ i përket organeve të drejtësisë shqiptare dhe se ai nuk pranon  asnjë ndërhyrje ngado që të vijë ndaj drejtësisë shqiptare.

/rtsh.al/