Kalimi kufitar Rafah i Gazës me Egjiptin do të rihapet të shtunën nën armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit.
Ai do të drejtohet nga përfaqësues të Autoritetit Palestinez së bashku me monitoruesit nga Bashkimi Evropian, sipas zyrtarëve të njohur me diskutimet.
“Ndërmjetësuesit informuan Hamasin për miratimin e Izraelit për të hapur kalimin në Rafah nesër, të shtunën, pas përfundimit të grupit të katërt të shkëmbimit të të burgosurve”, tha një zyrtar i Hamasit për AFP.
Palestinezët e plagosur do të evakuohen përmes kalimit, "sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimit të pengjeve në Gaza".
Kalimi i Rafahut me Egjiptin ishte një nga pikat kryesore të hyrjes në Rripin e Gazës dhe një kanal jetik për ndihma, por kufiri është mbyllur që kur forcat izraelite e pushtuan atë në maj të vitit të kaluar, kryesisht për shkak të refuzimit të Egjiptit për të mbajtur të hapur kalimin për sa kohë që forcat izraelite e mbanin atë.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Kaja Kallas tha të premten se blloku prej 27 anëtarësh kishte vendosur një mision monitorimi në vendkalimin "me kërkesë të palestinezëve dhe izraelitëve".
“Ai do të mbështesë personelin kufitar palestinez dhe do të lejojë transferimin e individëve jashtë Gazës, përfshirë ata që kanë nevojë për kujdes mjekësor” shkroi ajo në X.
Kalimi tani do të drejtohet nga anëtarë të Autoritetit Palestinez dhe vëzhgues evropianë, thanë zyrtarët e PA dhe Hamasit. Njerëzit do të lejohen të udhëtojnë vetëm në një drejtim, nga Gaza në Egjipt, për momentin, thanë zyrtarët.
Fillimisht do të hapet për 50 operativë të plagosur të Hamasit dhe 50 civilë të plagosur, së bashku me njerëzit që i shoqërojnë ata, thanë zyrtarët, duke shtuar se 100 persona të tjerë, me shumë gjasa studentë, do të lejohen të kalojnë për arsye humanitare. Ministria e shëndetësisë e Gazës tha se transportimi i pacientëve nga dy spitale në veri dhe jug të enklavës do të koordinohet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Spanja, Italia dhe Franca tani po kontribuojnë me personel në misionin e rinovuar.
/rtsh.al/