RTSH 24 Live

Politikë

‘Amnistia’- PD, Alibeaj paraqet amendamentin: Të pushohen çështjet penale ndaj protestuesve demokratë

12/02/2024

‘Amnistia’- PD, Alibeaj paraqet amendamentin: Të pushohen çështjet penale ndaj protestuesve demokratë

 

Partia Demokratike paraqiti të hënën në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, amendamentin për amnistinë e të dënuarve dhe të proceduarve gjatë protestave të organizuara nga PD-ja.

Alibeaj, ndërsa paraqiti para deputetëve amendamentet e PD, vuri theksin tek disa protesta të thirrura nga PD si ato kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, të zonës së “Astirit” etj.

“Amendamenti i paraqitur nga unë në fakt është i strukturuar në tre nene. Neni 3 i amendamentit synon që në nenin 6 të projektligjit të shtohet dhe një nen, neni 6/1 me këtë përmbajtje: Neni 6/1 dhënia e amnistisë për veprat penale për protestuesit. Përjashtohen nga ndjekja penale dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose që janë në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave të organizuara në periudhën 1 tetor 2018, deri 31 dhjetor 2020”, tha Alibeaj.

Sipas tij, kjo është përmbajtja e amendamentit dhe siç vihet re bëhet fjalë për një grup dispozitash penale,  të cilat iu referohen veprave penale të cilat kanë lidhje në thelbin e tyre me organizimin e tubimeve dhe protestave.

“Bëhet fjalë për tubime apo protesta politike të organizuara nga PD dhe aleatët e saj, por edhe nga tubime apo protesta qytetare të organizuara gjatë kësaj periudhe. Bëhet fjalë për protestat e organizuara nga qytetarët në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar, protestat e zonës së Astirit, protestat e qytetarëve për mbrojtjen e banesave të tyre në Bregun e Lumit apo edhe të Shkozës, apo edhe protestat e studentëve. Por edhe për protestat qytetare në rastin e vrasjes policore të Klodian Rashës”, sqaroi Alibeaj.

Sipas tij, ky është një vlerësim të cilin PD e ka bërë për shkak edhe të përgjegjësisë politike që ka mbajtur dhe duhet të mbajë çdo formacion politik në lidhje me organizimin e protestave.

“Një gjë është përgjegjësia politike e jona, një gjë është përgjegjësia juridike e penale të individëve që i përgjigjen thirrjes për këto protestave të cilat do të duhen ndarë. Dhe unë do ta bëj të qartë që: po përgjegjësia politike është e jona, por edhe përgjegjësia juridike duhet të mbetet po e jona për ta çuar deri në fund mbrojtjen që u kemi ofruar këtyre qytetarëve”, tha Alibeaj.

Deputeti demokrat theksoi se ajo që është e qartë ka të bëjë me faktin se nuk po kërkohet të bëhet pazar, pasi si qeveria ashtu edhe ministria e Drejtësisë janë nisur me qëllimin për të bërë një amnisti.

“E kuptoj fare mirë çështjen e mbipopullimit. Një nga motivet për ta miratuar është lehtësimi, ulja e numrit, që kushtet e trajtimit të jenë më komode. Të jetë e qartë për këdo, mbi atë qëndrim të qeverisë kemi sjellë atë amendament. Nuk jemi për të bërë shtime, rritje, pa arsye logjike dhe pa atë arsye që do duhet të mishërohet ligji. Parlamenti do duhet të jetë shumë i kujdesshëm në miratimin për ligjin e amnistisë penale”, sqaroi Alibeaj.

Sipas tij, akti me të cilin kërkohet falja e të dënuarve, duhet të merret si një akt mëshire, jo si një akt për t’ia hedhur drejtësisë.

/rtsh.al/