Nga 1 janari 2025 në të gjithë Zvicrën do të ndalohet mbulimi i fytyrës në vende publike. Ata që nuk respektojnë vendimin mund të dënohen me gjobë deri në 1000 franga. Nisma e diskutueshme “anti-burka” u miratua nga 51.2 për qind e votuesve zviceranë në mars 2021, dhe tashmë neni i ri kushtetues do të zbatohet në Aktin Federal për Ndalimin e Mbulimit të Fytyrës.
Shkeljet do të trajtohen përmes procedurës administrative të gjobës për të minimizuar burokracinë. Gjoba administrative që do të paguhet do të jetë 100 franga dhe mund të paguhet në direkt në vend. Ndërsa, ata që refuzojnë të paguajnë gjobën administrative do t’i nënshtrohen procedurës së zakonshme e cila parashikon një gjobë maksimale prej 1000 frangash. Por, në ligj po ashtu parashikohen edhe rastet e vendet se kur mund të mbahet burka.
Sipas ligjit të ri fytyra mund të mbulohet në aeroplanë, në ambiente diplomatike dhe konsullore, në vendet e adhurimit dhe në vende të tjera të shenjta. Përveç kësaj, mbulimi i fytyrës lejohet për arsye të shëndetit, sigurisë, kushteve të motit, zakoneve lokale zvicerane, për shfaqje artistike dhe argëtuese si dhe për qëllime reklamimi.
Veç Zvicrës, burka është e ndaluar edhe në disa shtete të tjera evropiane, si Franca, Belgjika, Holanda. Këto ligje janë shpesh kritikuar nga organizatat për të drejtat e njeriut, që argumentojnë se ndalimi i mbulesave fetare është një shkelje e lirisë individuale dhe të drejtave të pakicave.
/RTSH/