Partia Socialiste hapi sot (11 prill) fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Kjo është sfida e 9-të elektorale e PS nën drejtimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, ku bilanci deri tani është 7 zgjedhje të fituara dhe vetëm 1 e humbur në 2009, që më shumë se sa e humbur, sipas Ramës, “na e morën”.
Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Edi Rama së bashku me deputetët socialistë dhe kandidatët për kryetarë të bashkive i janë drejtuar sheshit "Skënderbej'
Kryeministri Rama, në fjalën e tij, u bëri thirrje qytetarëve që të krahasojnë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur nëpër bashkitë që janë qeverisur nga kryebashkiakët e PS, krahasuar me ato që janë qeverisur nga kryebashkiakë të opozitës.
Sipas tij, gjatë qeverisjes së PS janë dyfishuar të ardhurat për frymë dhe se objektivi brenda vitit 2030-të, është që paga minimale në vend të jetë të paktën 60 mijë lekë.
"Sipas Ramës, të fitosh zgjedhjet është një gjë, ndërsa është një gjë tjetër ta kthesh fitoren në vlerë për komunitetin. Jam krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS i kanë sjellë Shqipërisë. Sot jemi një vend krejt tjetër në sytë e botës, na janë besuar role parësore si në OKB. Sot marrëdhëniet ndërkombëtare janë në nivelin më të lartë, janë miqësore, aktive. Takimet e nivelit të lartë janë pjesë e punës si faktor me peshë në rajon. Ky aspekt i transformimit ka një rëndësi për vendin, se do të thotë jo vetëm ndryshim, por ndryshim i botës së jashtme ndaj nesh dhe kjo sjellë më shumë vëmendje dhe interes, si një destinacion për të punuar, investuar dhe jetuar."- theksoi Rama.
Sipas tij, rritja e paimagjinueshme e turistëve është vetëm paralajmërimi kuptimplotë e një të ardhme me shpresë, aty ku e ka bazën transformimi si dita me natën.
Rama: Ne jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend
Rama nënvizoi se zgjedhjet kanë shumë rëndësi për një vend, sesa çfarë, gabimisht mendojnë shumë prej zgjedhësve, duke mos dhënë votën. Shumë punë nuk do ishin bërë pa votën e PS, dhe sa shumë dëme do ishin shmangur pa votën e PD.
“Kemi dyfishuar të ardhurat për frymë në Shqipëri. Ambicia ime është që brenda 2030 të kemi një pagë minimale të paktën 60 mijë lekë. Pavarësisht ngecjeve apo rrëzimeve gjatë rrugës, vendi nuk më të kthehet përsëri prapa, siç është kthyer sa herë që ata tjerët kanë marrë në duart e tyre vendin. Vota për të tjerët ka sjellë si rregull më shumë dëme sesa të mira. Dëme tejet serioze, krejt të pariparueshme, apo dëme që kanë dashur vite të riparohen. Padyshim që edhe ne nuk e kemi bërë çdo gjë mirë, por pa asnjë dëm serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët. Bilanci ynë është pozitiv në raport me të gjitha kontratat tona zgjedhore. Ne jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend. Kudo që zgjedhësit të na e besojnë votën e tyre, ne bëjmë atë që tjerët nuk munden ta bëjnë. Le të dalë dikush dhe të na tregojë një bashki të vetme në harkun e 30 viteve, ku vota për ata të tjerët ka sjellë ndryshim dhe përparim. Më besoni, kam kërkuar me mend, jo një herë, dhe nuk e gjej asnjë. Është i njëjti avaz si në Shkodër, kudo tjetër ku vota ka shkuar në drejtim tjetër. Shikoni Lezhën sot dhe imagjinojeni larg qoftë nesër Lezhën me po ata që sot janë ku e ku më keq nga çfarë ishin dje”, - deklaroi Rama.
Rama: Këlliçi, kundërshtari më i lodhur, dhuratë për Lali Erin
Kryeministri Rama, jo pa ironi, ka komentuar edhe premtimet e bëra nga Belind Këlliçi, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë”, për transportin publik falas në bashkinë e Tiranës. Rama tha se me Këlliçin përballë Veliajt, në garën për bashkinë e Tiranës, kundërshtarët politikë i kishin bërë një dhuratë.
“Lali Erin e duan të tërë, nuk e duam vetëm ne që vijmë këtu dhe i dhurojmë pemë. Por e duan edhe ata që i dhurojnë rregullisht kandidatin më të lodhur. Madje, këtë here, i kanë gjeur një kandidat që duket sikur ka humbur fizarmonikën, kur thotë se do të bëjë transport publik falas. Mua më duket sikur thotë po ma gjetët fizarmonikën unë do u bëj një xhiro pa lekë”-tha Rama.
Vetëm përpara
Në sheshin “Skënderbej” u mbjellë 61 pemë me financimin e Partisë Socialiste, nga kandidatët për kryetarë bashkie dhe përfaqësuesit e qarqeve, duke simbolizuar 61 bashkitë ku do të garohet më 14 maj.
Fushata e PS për këto zgjedhje vjen nën sloganin ''Vetëm përpara, kurrë më mbrapa''.
/rtsh.al/