RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e 14 majit në Vorë, shfaqen përplasjet brenda demokratëve, PD nxjerr kandidat Ibrahim Brukën

18/03/2023

Zgjedhjet e 14 majit në Vorë, shfaqen përplasjet brenda demokratëve, PD nxjerr kandidat Ibrahim Brukën

Zhvillimet brenda PD, partisë më të madhe të opozitës në Shqipëri, mosmarrëveshjet midis grupit të Alibeajt dhe atij të Rithemelimit të Berishës, kanë prodhuar përplasje në terren.

Në Bashkinë e Vorës, dikur një dominim gati i padiskutueshëm i demokratëve, opozita do të shfaqet me dy kandidatë.

Grupimi i Alibejat, që përfaqëson zyrtarisht PD në këto zgjedhje, ka paraqitur mjekun Ibrahim Bruka, kandidat për Kryetar Bashkie. Në viti 2001 Ibrahim Bruka ishte kandidat për deputet dhe fitues në zonën 44 në Tiranë. Aktualisht ai është anëtar i KKPDSH, nga Kuvendi i Korrikut 2021. 

Ndërkaq grupi i Rithemelimit i Sali Berishës, i cili do të garojë me koalicionin "Bashkë Fitojmë" të Partisë së Lirisë së ish presidentit Ilir Meta, ndonëse nuk është regjistruar zyrtarisht nga KQZ si pjestar koalicioni, ka zgjedhur si kandidat sekretarin për diasporën dhe emigracionin Indrit Hoxha. 

Analistët vlerësojnë se dalja me dy dhe më shumë kandidatë nga opozita, do të fragmentojë elektoratin e saj dhe do të vështirësojë mundësinë e fitores në zgjedhjet lokale të 14 majit. 

Megjithatë duket se është ende herët për të parashikuar rezultatet. 

Të dy palët në PD vazhdojnë sipas mënyrave të tyre të bëjnë thirrje për pajtim dhe bashkëpunim në zgjedhjet lokale, që ata thonë se janë shumë të rëndësishme për demokracinë në Shqipëri. 

Zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2019, u fituan gati 100 për qind nga PS në maxhorancë, pas bojkotimit të tyre nga opozita.