RTSH 24 Live

Botë

Zelensky ndaloi gazin rus, Sllovakia kërcënon se do të shkurtojë financimin për refugjatët ukrainas

03/01/2025

Zelensky ndaloi gazin rus, Sllovakia kërcënon se do të shkurtojë financimin për refugjatët ukrainas

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico ka kërcënuar se do të shkurtojë mbështetjen financiare për më shumë se 130.000 refugjatë ukrainas pas përshkallëzimit të mosmarrëveshjes me Ukrainën mbi furnizimet me gaz rus. Më 1 janar, Kievi mbylli një tubacion që për dekada u përdor për të furnizuar Evropën Qendrore me gaz natyror rus.

 Sllovakia ka qenë pika kryesore e hyrjes dhe vendi tani po humbet miliona euro në tarifat e tranzitit. Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) vlerësoi muajin e kaluar se kishte 130.530 refugjatë ukrainas në Sllovaki nga mbi 6 milionë e 813 mijë në nivel global. Fico, i cili në dhjetor bëri një vizitë të papritur në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, e përshkroi lëvizjen e Kievit si “sabotim”. Ai tha se do të propozojë ndalimin e eksporteve të energjisë elektrike në Ukrainë dhe gjithashtu uljen e mbështetjes financiare për ukrainasit që kanë gjetur strehim në Sllovaki.

Muajin e kaluar presidenti ukrainas Volodimir Zelensky akuzoi Ficon se kishte ndihmuar Putinin të “financojë luftën dhe të dobësojë Ukrainën”, ndërsa kryeministri sllovak është shprehur i gatshëm për të qenë  vend mikpritës për negociata të mundshme të paqes për t'i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë.

Gazetar: A. Mata           

/rtsh.al/