Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kritikuar ashpër kryeministrin sllovak Robert Fico për qëndrimin e tij mbi gazin rus, duke e akuzuar se po mashtron popullin e tij.
Duke i quajtur deklaratat e kryeministrit sllovak, Fico si të “gënjeshtra dhe akuza” kundër vendit të tij mes një mosmarrëveshjeje për furnizimet me gaz, Zelensky tha se ishte zoti Fico ai që po mashtronte votuesit.
“Ne ofruam ndihmën tonë për popullin e Sllovakisë gjatë përshtatjes së tyre me mungesën e tranzitit rus të gazit , por Fico refuzoi me arrogancë”, tha Zelensky në një postim në mediat sociale.
“Shumë në Evropë e paralajmëruan atë se të mos bësh asgjë dhe të presësh nuk ishte një opsion. Tani, ai po përdor PR, gënjeshtra dhe akuza me zë të lartë për të larguar fajin nga vetja tek dikush tjetër.”
Kievi dhe Bratislava janë përplasur për vendimin e të parës për t'i dhënë fund tranzitit të gazit rus në Evropë përmes territorit ukrainas. Sllovakia e ka kritikuar ashpër masën pasi vendi mbetet shumë i varur nga furnizimet ruse me energji .
Kjo vjen pasi Fico e quajti presidentin e Ukrainës një "lypës" dhe pretendoi se Vladimir Putin ishte një aleat më i besueshëm.
Në komentet e transmetuara në faqen e tij në Facebook, Fico tha se Zelensky "shkon nëpër Evropë, thjesht duke lypur dhe shantazhuar të tjerët, duke kërkuar para".
Kryeministri sllovak shtoi se ndonjëherë ishte “i ngopur” me Zelensky dhe kërcënoi se do të përdorte veton e Sllovakisë në Këshillin Evropian për të bllokuar ndihmën e mëtejshme për Kievin .
Përpara se Fico të bëhej kryeministër në nëntor 2023, vendi kishte qenë një mbështetës i besueshëm dhe i fortë i Ukrainës.
/rtsh.al/