RTSH 24 Live

Botë

Xhef Bezos rifiton titullin e më të pasurit në botë me 200 mld dollarë, Mask i dyti

05/03/2024

Xhef Bezos rifiton titullin e më të pasurit në botë me 200 mld dollarë, Mask i dyti

Xhef Bezos (o. Jeff) ka rifituar titullin e personit më të pasur në botë, duke tejkaluar miliarderin Elon Mask (o. Musk).

Indeksi i Miliarderëve i agjencisë "Bloomberg" njoftoi të hënën se pasuria e themeluesit të kompanisë "Amazon" u rrit me 23 miliardë në 200 miliardë dollarë, ndërsa Masku rezulton me 198 miliardë dollarë, rreth 31 miliardë dollarë më pak sesa vitin e kaluar.

Aksionet e Teslës ranë më shumë se 7% gjatë ditës.

Masku e mori titullin e personit më të pasur në botë në maj të vitit 2023, duke mundur Bernard Arnonë (o. Arnault), i cili drejton një nga konglomeratet më të mëdha në botë dhe përfshin marka të tilla si Louis Vuitton, Dior dhe Celine.

Në fillim të këtij viti, një gjykatës në shtetin e Delauerit refuzoi një plan të Maskut për vitin 2018 — që ai të paguhej me një rrogë 50 miliardë dollarë — duke e ndihmuar për t'u renditur si një ndër më të pasurit në botë. Aksionet e kompanisë së tij Tesla gjithashtu kanë rënë rreth 24% nga ai vit.

Titulli i personit më të pasur në tokë ndërrohet çdo disa muaj, në varësi të rezultateve në tregjet financiare. Mask dhe Arno ende kanë shumë pasuri — që nga viti 2020, vlera neto e pesë njerëzve më të pasur në botë është rritur me 114% në një total prej 869 miliardë dollarë sipas raportit vjetor të pabarazisë të publikuar nga Oxfam. /CNN

/rtsh.al/