RTSH 24 Live

Kosovë

Vuçeviq: Na presin ditë sfiduese, masa për mbrojtjen e serbëve në Kosovë

13/09/2024

Vuçeviq: Na presin ditë sfiduese, masa për mbrojtjen e serbëve në Kosovë

Kryeministri Milosh Vuçeviq (o. Milos Vucevic) ka paralajmëruar se Serbia do të marrë masa për të garantuar paqen në veri të Kosovës dhe për t'i ofruar mbrojtje serbëve që jetojnë atje.

Rendi në rajonet veriore garantohet nga policia vendore dhe nga forcat ndërkombëtare, por qeveria serbe pretendon se popullsia e vet po spastrohet etnikisht e qëllimisht nga qeveria në Prishtinë.

"Jam i sigurt se [Albin] Kurti nuk do e ndalë agjendën e vet politike, para së gjithash për fushatën zgjedhore. Ai nuk mund të flasë për ekonominë, përparimin, por vetëm për serbët.

Ka shumë deklarata dhe mesazhe nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Prishtinës për ndalimin e veprimeve të njëanshme. Nuk kam asnjë përshtypje se dikush mund të reagojë më ashpër ndaj Kurtit, përveçse në letër. Nuk ka masa thelbësore," deklaroi kryeministri Vuçeviq për televizionin publik, RTS.

Me gjithë rezervat për institucionet kosovare, kryeministri Vuçeviq u shpreh i hapur për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve.

Presidenti Aleksandar Vuçiq (o. Vucic) raportohet se do të shpallë një vendim të rëndësishëm për çështjen e serbëve në Kosovë. Ai ka pasur biseda të ndryshme me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak (o. Lajcak) dhe me ambasadorin e SHBA-së, Kristofer Hill (o. Christopher Hill).

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të enjten se homologu i saj nuk ndryshon shumë nga paraardhësi dhe ish-eprori i tij Slobodan Millosheviq (o. Miloshevic), duke iu referuar raportimeve në medie se z. Vuçiq synon të shpallë "pushtimin" e zonave veriore në Kosovë.

Ndërkohë kryeministri Vuçeviq në intervistën me RTS-në deklaroi edhe një ndryshim politike për sa i përket shërbimit ushtarak, që pritet të jetë i detyrueshëm.

"Nuk është i njëjti mjedis social si dikur kur shërbimi ushtarak bëhej për 12 muaj. Tani po propozohet një trajnim dymujor. Kjo nuk është për të përgatitur vendin për konflikte dhe luftëra, por për t'u mbrojtur dhe për të penguar çdo sulm të mundshëm. Kjo nuk do të thotë se do të shfuqizojmë ushtrinë profesionale. Në dy muaj askush nuk do të humbasë as shkollimin dhe as punën. Besoj se është një lajm i mirë," tha z. Vuçeviq. /RTS

/rtsh.al/