RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Von der Leyen vizitë në Shkup: Të miratohen ndryshimet kushtetuese

24/10/2024

Von der Leyen vizitë në Shkup: Të miratohen ndryshimet kushtetuese

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje të enjten (24 tetor) Maqedonisë së Veriut t’i kalojë ndryshimet kushtetuese për ta përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Von der Leyen u takua me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, gjatë një vizitë në Shkup të enjten, si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, ku e përsëriti se zgjerimi i BE-së mbetet një nga prioritetet kryesore të saj. “Pothuajse jemi aty. Shpresoj se me dialog të përbashkët, të gjitha forcat politike në vend do të bashkohen dhe do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm vendimtarë për përparim. Jam e bindur se mund t’i kapërcejmë barrierat të cilat ekzistojnë”, tha Von der Leyen të enjten në një konferencë shtypi së bashku me Mickoskin.

Arsyeja është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që ta përfshijë në preambulën e Kushtetutës së vendit edhe minoritetin bullgar. Maqedonia e Veriut ka ngelur mbrapa në procesin e integrimit dhe mori një goditje këtë muaj kur BE-ja e hapi kapitullin e parë në negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shkëputur Shkupin nga paketa e përbashkët me Tiranën.

Por, gjatë konferencës me shefen e KE-së të enjten, Mickoski, duke anashkaluar kërkesën e KE-së për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e minoritetit bullgar në të, tha se Qeveria e tij mirëpret ndihmën e Bashkimit Evropian për të vazhduar procesin e integrimit evropian.

Von der Leyen vlerësoi përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në agjendën e reformave dhe njoftoi se Shkupi do të përfitojë më shumë se 750 milionë euro nga Plani i Rritjes, duke përfshirë këstin e parë prej 52 milionë eurosh, deri në fund të vitit.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/