RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Dhuna mes fëmijëve është bërë shqetësuese në RMV, Avokatit i Popullit flet për rritje të numrit të denoncimeve

19/11/2024

Dhuna mes fëmijëve është bërë shqetësuese në RMV, Avokatit i Popullit flet për rritje të numrit të denoncimeve

Dhuna mes bashkëmoshatarëve gjithnjë e më shumë po shënon rritje në Maqedoninë e Veriut.

Sipas mediave vendase, vitin e fundit kishte rreth 30 denoncime në zyrën e Avokatit të Popullit dhe numri më i madh i tyre kanë të bëjnë me dhunë fizike.

Zëvendësja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramova Mustafa thotë se dhuna më së shumti është e pranishme te fëmijët e shkollave fillore.

“Të dhënat flasin se situata është e njëjtë madje edhe më e keqe, krahasuar me një vit më parë…Sipas statistikës numri më i madh i lëndimeve në raport me dhunën e bashkëmoshatarëve, ndodh në arsimin fillorë, shumë më pak në shkollën e mesme. Për fat të keq, të dhënat që zhgënjejnë janë se madje përdoret dhuna në moshë shumë të vogël, te fëmijët në klasë të dytë, të tretë dhe tregon për seriozitetin e problemit”, deklaroi Vaska Bajramovska Mustafa, zëvendës-avokate e Popullit.

Të dhënat thonë se dhuna mes bashkëmoshatarëve përdoret si mjet për ta treguar fuqinë nga ana e fëmijëve, ndërsa viktimë janë fëmijët më të dobët ose ata që janë më të tërhequr dhe ata që vijnë nga familje të varfra. Nuk kursehen as fëmijët me nevoja të veçanta. Avokati i Popullit kërkon bashkëpunim mes institucioneve me qëllim përmirësimin e situatës.

“Këtë vit vendosëm që përmes kësaj video ta vazhdojmë aktivitetin tonë, pikërisht në atë që e thash në fillim, biseda me fëmijët, t’u tregojmë se sjellja e tillë është e padëshirueshme, nuk jep rezultate dhe gjithsesi. Dhe gjithsesi të bëjmë thirrje te të gjithë në shtet, që të krijojmë mjedis që do të jetë mbështetës për fëmijët, por gjithsesi do të jetë e gatshme të dënojë sjelljet e dhunës”, tha Vaska Bajramovska Mustafa, zëvendës-avokate e Popullit.

Me mbështetje të projektit të BE-së për sundimin e së drejtës, Avokati i Popullit filloi fushatë për rritjen e vetëdijes, promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna mes bashkëmoshatarëve.

 

/rtsh.al/