RTSH 24 Live

Aktualitet

Vodhën para dhe bizhuteri nga bagazhet e pasagjerëve, arrestohet punonjësi i Rinasit

12/08/2024

Vodhën para dhe bizhuteri nga bagazhet e pasagjerëve, arrestohet punonjësi i Rinasit

Një rast i vjedhjeve të bagazheve të pasagjerëve është zbuluar në Aeroportin e Rinasit, duke vënë në pranga një punonjës dhe një tjetër është nën hetim në gjendje të lirë.

Sipas policisë, punonjësit e bagazheve në Rinas dyshohen se kanë vjedhur para dhe bizhuteri me vlerë nga valixhet e pasagjerëve.

Gjatë kontrolleve pranë kontenierëve ku ndërrohen punonjësit e bagazheve, policia konstatoi se punonjësi L. Z., fshihte bizhuteri të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.

Më tej, është kryer kontroll në hapësirën ku mbanin sendet personale ku janë gjetur 1250 euro dhe bizhuteri të tjera, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, shtetasi L. Z., 19 vjeç, dhe është proceduar në gjendje të lirë, për të njëjtën vepër penale, shtetasi M. S., 24 vjeç, të dy banues në Krujë.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove dhe bizhuteritë.

Policia Kufitare e Rinasit apelon për të gjithë pasagjerët, që për arsye sigurie, paratë dhe sendet me vlerë t’i mbajnë në çantat e dorës, jo në bagazhet e stivës, pasi kompanitë ajrore nuk mbajnë përgjegjësi për to.

/rtsh.al/